Komunat Veriore të Kosovës nuk janë duke i zbatuar masat e Qeverisë së Kosovës për Parandalimin e pandemisë së Coronavirusit, por po e respektojnë gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur nga Serbia.
Ndonëse ata po veprojnë me masat e Serbisë, Policia e Kosovës thonë se situata është normale dhe nuk ka rritje të kriminalitetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se gjatë këtyre ditëve nuk ka rritje të kriminalitetit në këtë pjesë.
“Situata e njëjtë është, normale nuk kemi ndonjë ngritje të kriminalitetit”, ka thënë Qalaj.
Katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku kanë vendosur ta zbatojnë gjendjen e jashtëzakonshme të cilën e ka shpallur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Të ashtuquajtura Organe të Përkohshme, që në fakt janë komunat paralele kanë urdhëruar banorët që ta respektojnë gjendjen e jashtëzakonshme të Vuçiqit.
Të ashtuquajtura Shtabe të Krizës kanë urdhëruar që asnjë person të mos lëvizë, respektivisht të mos del nga shtëpitë e tyre prej orës 20:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit.
Qalaj ditë më parë ka thënë se Policia e Kosovës është duke u angazhuar maksimalisht në implementimin e masave të Qeverisë, lidhur me parandalimin e Coronavirusit. Ai ka treguar që për masat që kanë marrë dhe implementimin e tyre.
Qalaj ka thënë se Policia e Kosovës është ka liruar nga detyra pjesëtarët të cilët janë me sëmundje të rënda, kurse pjesa tjetër është duke punuar në orare të zakonshme. Qalaj ka thënë se vetëm pjesëtarët e Policisë të cilët vijnë nga vendet e karantinuara Vitia, Klina, Malisheva që punojnë në Prishtinë, janë urdhëruar të lajmërohen në stacionet e këtyre qyteteve.