Drejtori i QKUK-ut mohon të ketë suspendime për inate personale

Prishtinë | 15 Sht 2018 | 19:34 | Nga

Dy mjekë u suspenduan si pasojë e këtyre kontrolleve, raporton KTV.

Më 13 shtator, specialisti i Urologjisë, Fahredin Veselaj, nuk u gjet në vendin e punës e për këtë u largua nga puna për gjashtë muaj.

Dhe, një natë më pas, u suspendua edhe mjeku i Klinikës së Kirurgjisë Maksillofaciale, Sami Saliu.

Drejtori i SHSKUK-së thotë se ky monitorim i punës së mjekëve, do të vazhdojë.

Por, në krah të suspenduarve, u ka dalë deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.

Ai ka thënë se largimi i tyre nuk i kontribuon përmirësimit të cilësisë së institucionit shëndetësor.

“Si ky rast, edhe ai mëparshmi, kanë krijuar gjendje paniku, frike, humbje dinjiteti, mosmirënjohje dhe pasiguri te punëtorët shëndetësorë. Nuk dua t’u besoj thashethemeve për hakmarrje personale të menaxhmentit ndaj disa mjekëve, s’dua të besoj në fabrikime të rasteve dhe diferencime selektive. Nëse del që ka qërim të hesapeve të vjetra, atëherë kjo s’ka për t’u toleruar, sepse ndoshta sot Uran Ismailit dhe Basri Sejdiut u duket vetja që janë të fortë dhe kanë përkrahje politike nga Kadri Veseli, por e nesërmja mund ta ndryshojë skenën politike. Me maltretime, dënime drakonike dhe ndjellje të frikës të punëtorëve shëndetësorë, nuk mbahet disiplinë”, ka thënë Avdyli.

Por, të gjitha këto komente i ka mohuar Sejdiu.

E për këto suspendime, të shtunën nuk ka pranuar të deklarohet ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Ismaili ka thënë se këto vendime i përkasin menaxhmentit të SHSKUK-së dhe nuk kanë të bëjnë me nivel qendror.

E, këto nuk janë suspendimet e vetme që u bënë ditëve të fundit.

Në muajin shkurt u suspendua edhe kirurgu i Kirurgjisë Abdominale, Enver Fekaj.

Ai nuk kishte pranuar ta operonte 19-vjeçarin Hysen Ibrahimaj, pasi të njëjtin e kishte operuar për herë të parë në spitalin e tij privat.

Ndërsa, gjatë muajit korrik, drejtori i Klinikës së Urologjisë, Rexhep Kasumaj u arrestua nën dyshimet se kishte kërkuar para për t’i kryer shërbimet mjekësore një pacienti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme