Në një reagim në profilin e tij në Facebook, gazetari Ridvan Berisha, ka thënë se është suspenduar nga puna. Ai ka thënë se nuk do të jetë në ekran derisa komisini disiplinor ta trajtojë çështjen e tij.
Në këtë postim Berisha ka akuzuar drejtorin e RTK-së, Ngadhnjim Kastrati dhe dy kolegët e tij Xhymret Veliu e Festim Kabashi, që sipas tij punën për të ia kanë kryer Albin Kurtit. Të njëjtit i ka quajtuar oportunë e konformistë.
Lidhur me akuzat e tij, Gazeta Express ka marrë një prononcim nga Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati.
Kastrati mohoi se Berisha është suspenduar nga puna, mirëpo sipas tij, për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të gazetarit Berisha, është iniciuar procedurë disiplinore.
“Nuk është e vërtetë qe Ridvan Berisha është suspenduar nga puna. Për shkak te shkeljeve te tij te vazhdueshme te rregulloreve te brendshme te RTK-se, është iniciuar procedure disiplinore, por ende nuk ka as një vendim. Pra deri ne vendimin e komisionit Disiplinor, Z Berisha nuk do te drejtoje emisionin e RTK-se Debat, por nuk është suspenduar nga puna”, tha Kastrati
Para pak ditësh, Ridvan Berisha e kishte mbyllur edicionin e emisionit e tij “Debat” të martën, me një mesazh drejtuar Albin Kurtit, kryeministrit të ri të Kosovës. Berisha deklaroi se nuk do ta thërras shefin e ri të qeverisë për ta intervistuar në emisionin e tij.
“Nesër nuk do të shihemi nga kjo studio, e as pasnesër. Në fakt, jo pse kështu ka vendosur menaxhmenti im, por sepse nesër dhe pasnesër kemi futboll. Ndoshta vendos ekipi i Kurtit, por unë nuk e thërras z. Kurti që të jetë në këtë studio sepse ftesa mund të jap leksionin edhe të oportunizmit, e ekipi i tij e di fare mirë këtë punë. Po deshën të më njoftojnë e dinë numrin tim, unë i pres në studio”, ka thënë Berisha.