Në kuadër të vizitës në shtetet e Ballkanit Perëndimor, gjegjësisht Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, Drejtorja e Përgjithshme e Internacionales Botërore të Arsimit për Evropën , znj. Suzan Flocken sot pasdite do të arrijë në Kosovë për të qëndruar deri në mëngjesin e së mërkurës.
Më 26 shkurt znj. Flocken e shoqëruar nga kryetari i Sindikatës së Pavarura të Arsimit të Shqipërisë, z.Nevruz Kaptelli dhe kryetari i SBASHK-ut z.Rrahman Jasharaj dhe anëtarë të kryesisë së SBASHK-ut është paraparë të kenë takime me Kryeministrin e Kosovës, z.Ramush Haradinaj, me Ministrin z.Shyqiri Bytyqi, me kryetarin e Komisionit parlamentar për Arsim, z.Ismail Kurteshi.
Drejtorja e Përgjithshme e Internacionales Botërore të Arsimit për Evropën , znj. Suzan Flocken do ta ketë një takim solemn edhe me udhëheqës qendror e lokal të SBASHK-ut. Në të gjitha këto takime do të bashkëbisedohet për çështjet aktuale më arsim, rolin e sindikatave në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim si dhe për mundësitë e shumta të bashkëpunimit në sferën e arsimit mes Kosovës dhe vendeve të Ballkanit e Evropës.
Në kuadër të vizitës në Kosovë znj. Flocken do ta vizitojë edhe Shkollën e Gjelbër në Prishtinë më 26 shkurt , në orën 11:00.
Në përmbyllje të vizitës Drejtorja e Përgjithshme e Internacionales Botërore të Arsimit për Evropën , znj. Suzan Flocken kryetari i Sindikatës së Pavarura të Arsimit të Shqipërisë, Nevruz Kaptelli dhe kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj do ta mbajnë një konferencë për mediet për të treguar për rrjedhën e vizitës në Kosovë.