Drejtuesit e Novavax mund të përfitojnë dhjetëra miliona dollarë, edhe nëse vaksina për Coronavirus dështon

Prishtinë | 22 Kor 2020 | 21:07 | Nga Ekonomia Online

Një nga firmat kryesore amerikane që po zhvillon një vaksinë kundër coronavirusit, Novavax Inc (NVAX.O), u ka dhënë menaxherëve “opsione të aksioneve” nga të cilat mund të përfitojnë dhjetëra miliona dollarë, edhe nëse përpjekjet e saj dështojnë.

Drejtori i Përgjithshëm i Novavax, Stanley Erck dhe tre drejtues të tjerë do të fitonin “opsionet”, me vlerë 101 milionë dollarë në çmimin e mbylljes së aksioneve të së martës, nëse kandidati i vaksinës së kompanisë hyn në një testim klinik të fazës së mesme – pavarësisht nga suksesi i tij eventual, sipas një dokumenti të kompanisë.

Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, plani nxitës, i cili nuk është raportuar më parë, lejon që drejtuesit të fillojnë të ushtrojnë mundësinë një vit pasi Novavax fillon testin e ashtuquajtur Faza 2, siç pritet që të bëjë së shpejti.

Fillimi i testimit në Fazën 2 nuk është asnjë garanci që kandidati i vaksinës do të mund të përfundojë në treg.

Novavax do të duhet të përfundojë me sukses testet më të gjera të Fazës 3 dhe të fitojë miratimin nga Administrata e Ushqimit dhe e Barnave të SHBA-së.
Ndërmarrja me bazë në Gaithersburg, Maryland nuk ka sjellë ndonjë vaksinë në treg në historinë e saj 33-vjeçare.

Por vlera e saj e tregut ka arritur rekordin, nga 250 milionë dollarë në 8 miliardë dollarë në rreth pesë muaj që nga shfaqja e lajmeve mbi perspektivat e vaksinës së saj të coronavirusit.

Madje Administrata Trump i ka dhënë Novavax, 1.6 miliard dollarë nën programin e saj “Operation Warp Speed” për të përshpejtuar zhvillimin e vaksinave të coronavirusit.

Në një prononcim për Reuters, Novavax tha që opsionet e aksioneve u dhanë për të mbajtur “talentin e lartë dhe për të njohur përpjekjen e tyre të fortë”.

Gjithsesi, kompania nuk ka treguar se pse opsionet ishin të lidhura me provat e fazës së mesme e jo me suksesin përfundimtar të vaksinës.

Të ngjashme