Drenasi ka mbajtur debat publik për Planin Lokal të Veprimit në Mjedis 2020-2025

Prishtinë | 17 Tet 2019 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Në sallën e Kuvendit Komunal është mbajtur debati publik me qytetarë për të diskutuar Planin Lokal të Veprimit në Mjedis 2020-2025 të organizuar nga Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit.

Në këtë debat kanë marrë pjesë Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, Drejtoresha për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Flutura Avdiu, Grupi Punues i Hartimit të PLVM-së, organizatat jo-qeveritare, kompania hartuese e planit, ekspertë të fushave të ndryshme dhe qytetarë.

Kryetari Lladrovci në fjalën hyrëse ka falënderuar të pranishmit dhe grupin punues që kanë kontribuar në hartimin e këtij plani dhe ka vlerësuar se me hartimin dhe miratimin e një plani mjedisor lokal, do të identifikohen dhe zgjidhen problemet prioritare mjedisore në Komunën e Drenasit.

“Ky debat publik po bëhet më qëllim që ekspertet e fushave të ndryshme, të japin mendimet, komentet dhe vërejtjet e tyre, lidhur me këtë dokument, i cili është shumë i rëndësishëm për të adresuar zgjidhjen e problemeve mjedisore në nivel lokal, në cilën janë përcaktuar prioritetet mjedisore për periudhën 5 vjeçare, njëherit ka një rendësi të veçantë dhe shërben si një ndër indikatorët kryesor për matjen e performancës komunale që bëhet nga MAPL-ja”, ka thënë kryetari Lladrovci.

Prezantimi i PLVM-së është bërë nga përfaqësuesi i kompanisë hartuese “Environment & Business Solutions”.

Të pranishmit kanë dhënë  komentet dhe vërejtjet e tyre lidhur me Planin Lokal të Veprimit në Mjedis, i cili është dokument planifikues-strategjik, për të adresuar zgjedhjen e problemeve mjedisore në nivel lokal.

Të ngjashme