Drenasi merr lëvdata për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit

Prishtinë | 26 Jan 2017 | 16:40 | Nga

Kryesuar nga Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, në Ministrinë e Shëndetësisë u mbajt sot takimi i Këshillit Ndërministror për Kontrollin e Duhanit, në të cilën u raportua për aktivitetet në monitorimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, me theks të veçantë në periudhën kohore prej 16 dhjetorit 2016 kur në ndërtesën e Qeverisë, kryesuar nga Kryeministri Isa Mustafa, ishte mbajtur takimi kushtuar këtij ligji, e deri më tash.

Në takim u vlerësua se involvimi i autoriteteve komunale në zbatim të rekomandimeve të dala nga takimi i mbajtur në ndërtesën e Qeverisë, ku kanë marrë pjesë edhe kryetarët e komunave, ka qenë i ulët, ndërkohë që është përshëndetur përparimi i bërë në Komunën e Drenasit në zbatimin e këtij ligji.

Në këtë takim, Inspektorati Shëndetësor, Inspektorati Sanitar, Inspektorati i Arsimit dhe Policia e Kosovës kanë raportuar për inspektimet e kryera gjatë kësaj periudhe dhe fletëparaqitjet e ngritura ndaj shkelësve, ndërkohë që u theksua, se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Kundërvajtje, lehtësohet zbatimi i gjobave për shkelësit e ligjit.

Këshilli vlerësoi se shkeljet e ligjit janë shpeshtuar dhe bërë dukuri si pasojë e involvimit të ulët të inspektorëve komunalë dhe bashkëpunimit jo adekuat midis nivelit qendror dhe atij lokal.

Në takim, ku edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile dhanë kontributin e tyre, u vendos që muaji shkurt të jetë muaji i intensifikimit të aktiviteteve të drejtpërdrejta në vetëdijesimin për zbatimin e ligjit, në veçanti inspektimeve përmes së cilave, do të shqiptohen dënime meritore për shkelësit e ligjit.

Gjithashtu, Këshilli ka shprehur shqetësimin e tij që “denoncues” të pa-përgjegjshëm, keqpërdorin numrin 080011000 për të ofenduar e kërcënuar zyrtarët që përgjigjen në këtyre numër në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë, sidomos pronarë të kafe- bareve të ndryshme, të cilët shkeljet e ligjit nga ana e tyre, përpiqen t’i arsyetojnë me gjoja denoncimet përmes këtij numri.

Këshilli do të informojë në baza të rregullta gjatë muajit shkurt për numrin e inspektimeve dhe masat që do të ndërmerren ndaj shkelësve të Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Të ngjashme