Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, së bashku me kandidatin për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, janë takuar me përfaqësuesit e bizneseve në Drenas.
Gjatë këtij takimi, Veseli tha se Drenasi ka filluar gradualisht të merr përmasat e një qyteti, i cili do të jetë jo vetëm urban, por në të njëjtën kohë, do të jetë edhe një qendër industriale për të gjithë Republikën e Kosovës.
“Drenasi ishte më i izoluar, por duke ju falënderuar zhvillimeve të fundit si p.sh. në pjesën e Infrastrukturës të cilat ndërlidhen edhe me investime në aspektin nacional, ndërlidhen po ashtu me komunën e Drenasit”, tha ai.
Veseli shtoi se Drenasi i ka të gjitha mundësitë që të jetë një qendër kosovare e zhvillimit ekonomik, pasi që sipas tij, është nyje lidhëse si për Kosovën, ashtu edhe lidhëse me dy autostradat e kombit.
“Nga Drenasi mundemi të arrijmë në çdo cep, ku mund të bëhet transporti i mallrave ndërkombëtare, si nyje lidhëse në dy autostrada”, u shpreh Veseli.
Ai më tej tha edhe se Drenasi mund të jetë një qendër zhvillimore ku mund të ketë shumë fabrika të cilat mund të prodhojnë dhe të rritet punësimi.