Dreshaj pas vendimit të Supremes: E kam ditur se drejtësia do të ngadhënjejë

Prishtinë | 29 Jan 2021 | 18:49 | Nga Ekonomia Online

“Në parim mendoj se të sanksionohet e drejta e liderit të opozitës që të marrë pjesë në zgjedhje nuk është e mirë. Por prapë vlen e njëjta që thash se të gjithë jemi të barabartë para ligjit”.

Gjykata Supreme ka pranuar pesë ankesa nga subjektet politike kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat janë ndarë me short dhe janë shqyrtuar nga kolegjet gjyqësore brenda afateve ligjore.

Supremja ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që kandidatin për deputet nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshajn, ta përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka thënë se edhe para se të merret ky vendim, ka qenë i sigurt se drejtësia do të ngadhënjejë.

“Ne jemi qytetar të Kosovës dhe kemi ligje të mira dhe jo të mira. Edhe unë kam qenë në stres për një lëndë të skaduar që ka mbetur në sistem – një aksident zinxhiror në Drenas. Prej shkurtit 2019, aksidentet në komunikacion nuk janë më vepra penale, por kundërvajtje”.

“Pa marrë parasysh vendimet që vijnë prej legjislacionit, duhet të respektohen nga të gjithë. Ne jemi të barabartë para ligjit dhe duhet t’i respektojmë ato”.

“Kam qenë mjaft i sigurt se drejtësia do të ngadhënjejë dhe në prononcimin tim që kisha dje, thash se çdo vendimit do ta respektoj”.

I pyetur rreth vendimit të Supremes e cila e ka lënë kandidatin për kryeministër të VV-së, Albin Kurtin, jashtë garës zgjedhore, Dreshaj ka thënë se nuk është gjë e mirë, por megjithatë duhet të respektohet.

“Në parim mendoj se të sanksionohet e drejta e liderit të opozitës që të marrë pjesë në zgjedhje nuk është e mirë. Por prapë vlen e njëjta që thash se të gjithë jemi të barabartë para ligjit”.

“Sa i përket VV-së, më vjen shumë keq që shumë pretendentë cilësorë për parlamentin e Kosovës të ngelen jashtë listës – mendoj se nuk është e mirë për vendin”.

“Sido që të jetë, mendoj se VV është parti e strukturuar mirë që respekton ligjin dhe vendin. Uroj që VV ta begatojë Kuvendin me pjesëmarrjen e vet. Është parti e përfaqësuar në mënyrë solide në Kuvendin e Kosovës dhe nuk është parti me të cilën duhet të bëjmë shaka”.

Për t’u informuar më shumë rreth vendimit të Gjykatës Supreme, klikoni në linkun e mëposhtëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme