Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj, i shoqëruar nga lideri i partisë dhe kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, kanë mbajtur një tubim zgjedhor, sonte, në fshatin Banjë.
Dreshaj tha se LDK-ja ka të drejtë kur po thotë që ai do t’i ndalë ndihmat sociale. “Po kam me i ndal dhe ata njerëz kam me i shti në punë. Nuk kanë me qenë të varfër”, u shpreh Dreshaj, i cili synon të dielën ta mund Haki Rugovën e LDK-së.
Ai tha se ka premtuar punësimin e 2000 grave dhe 1000 burrave. “Ta jap besën zoti kryeministër se kam me mbajt këtë premtim. Kemi me u ba të gjithë të barabartë”, u zotua biznesmeni Dreshaj.
Në tubim merrnin pjesë dhe përfaqësues të Nismës, PDK-së, Vetëvendosjes, Iniciativës së Pavarur për Istogu, që po e mbështesin Dreshajn.
Dreshaj tha se ky koalicion nuk është bërë brenda natës. Sipas tij, kanë qenë përpjekje të gjata të njerëzve që kanë punuar dhe angazhohen për ditë më të mira për Istogun e krejt Kosovën.
Ai shprehu besimin se “kjo lidhje e ky bashkim që është bërë, do të dalë për hajr për Istogun”.
Kandidati i Aleancës tha se për çdo ditë ndodhet në terren dhe i di kërkesat e hallet e istogasve.
Ai ka folur edhe për premtimin e tij për lirimin e biletave për studentët e Istogut që udhëtojnë për në Prishtinë. Tha se do të ulet e do të gjejnë një zgjidhje me pronarët e kompanive të autobusëve, pa i dëmtuar ata.
“Nëse nuk ka tjetër zgjidhje, vetë do t’i grahi autobusit”, u shpreh ai.
Dreshaj ka premtuar mbështetje edhe për familjet e dëshmorëve.
Haradinaj: Edhe në Istog duhet të fillojë puna
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherë kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, ftoi istogasit që më 17 dhjetor ta votojnë kandidatin e tyre.
“Me qeverisjen e Gani Dreshajt në Istog do të ofrohet mundësia që kjo komunë të jetë shembull sesi punohet”.
“Kam dëshirë mos me lanë Kosovën qyqane, por një Kosovë të gjallë që me na marr lakmi të gjithë”, u shpreh kreu i Qeverisë.
Pasi foli për punët që janë bërë për 100 ditë nga Qeveria e drejtuar nga ai, Haradinaj tha se edhe në Istog duhet të fillojë puna.