Njëmbëdhjetë ndeshje për Përfaqësuesen U-19 e disa të tjera për U-17, U-18 e U-20.
Ibrahim Dresheviq bëhet lojtari i radhës te Përfaqësuesja e Kosovës në futboll me të kaluar te një përfaqësuese tjetër. Dresheviq ka të kaluar te Përfaqësuesja e Suedisë.
Mbrojtësi i qendrës ka luajtur për katër grupmosha të Suedisë, ndërsa prejardhjen e ka nga Tuzi i Malit të Zi. Është shqiptar nga Tuzi. Dhe tash do të luajë për Kosovën, ndërsa do të rrisë konkurrencën në qendër të mbrojtjes, ku Amir Rrahmani e Fidan Aliti nuk kanë pasur konkurrencë të madhe deri më tash, shkruan sot Koha Ditore.
Dresheviq është 22-vjeçar, ndërsa prej fundit të janarit luan për skuadrën holandeze Heerenveen, ku deri në janar u paraqit Arbër Zeneli. Dresheviq për tre vjet kishte luajtur në Elfsborg në kategorinë superiore të Suedisë, ndërsa edhe Zeneli kalimin te Heerenveeni e ka bërë nga Elfsborgu. Zeneli, po ashtu, kishte luajtur për të rinjtë e Suedisë para se të bashkohej me Kosovën. Tani është te Reimsi në Ligue 1 të Francës.
“Është ndjenjë e shkëlqyeshme. Është vërtet kënaqësi”, ka thënë Dresheviq, pasi emri i tij u gjend në listën e përzgjedhësit të Kosovës, Bernard Challandes, për ndeshjet e qershorit me Malin e Zi dhe Bullgarinë.