Drilon Rexhepi fiton garën studentore të Dizajnit 2016

Prishtinë | 21 Tet 2016 | 10:59 | Nga

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj i përfaqësuar nga studentët e Arkitekturës së Interierit dhe Dizajnit të Mobileve, mori pjesë në “Garën Studentore të Dizajnit 2016”, e cila është pjesë e Konventës së Parë të Industrisë së Drurit në Kosovë. Pjesëmarrës në këtë garë ishin edhe Universiteti i Prishtinës, Kolegji UBT dhe Kolegji AAB.

Të pranishëm në Konventë ishin edhe zyrtarë të lartë dhe profesorë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, të cilët mbajtën ligjëratë për Industrinë e Drurit, ku më shumë i dhanë rëndësi bashkëpunimit të Institucioneve me Biznese.

Pas ceremonisë së certifikimit të studentëve pjesëmarrës u bë ndarja e çmimeve për dizajnin më të mirë, ku me çmimin e parë u shpërblye Drilon Rexhepi, student i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, ndërsa vendi i dytë dhe i tretë i takoi Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Rektori i UShAF, Agron Bajraktari, ka uruar studentin Rexhepi për këtë çmim, ndërsa ka thënë se studentë të tillë janë indikacioni më i mirë se universiteti më i ri publik në Kosovë po ecën sigurt drejt arritjes së synimeve për cilësi në studime dhe nxjerrjen e kuadrove të përgatitura me shkathtësi dhe kompetenca.

Rektori Bajraktari, po ashtu, ka falënderuar mësimdhënësit e Universitetit për punën e palodhshme me studentët, si nga ana teorike, ashtu edhe nga ajo praktike në ndërmarrje.

Konventa e Industrisë së Drurit është ngjarje që organizohet çdo vit ku takohen të gjithë përpunuesit e drurit dhe akterët e tjerë në Kosovë, ku u jepet mundësia të shkëmbejnë informata dhe të bëjnë biznes.

Konventa e Parë e Industrisë së Drurit u organizua nga EMPOWER, sektori privat i USAID-it, në partneritet me SIDA-n dhe në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit të Kosovës, ndërsa u mbështet edhe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Banka ProCredit.

drilon-rexhepi1

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme