Në deklaratat e tij të mëparshme, diçka ishte nënkuptuar, por në intervistën e dhënë për të përditshmen austriake “Der Standard“, komisioneri në largim i zgjerimit, Johannes Hahn e artikulon qartë preferencën mes vendeve anëtare për një avancim të Maqedonisë së Veriut në drejtim të marrjes së datës së shumëdëshiruar.
“Jemi ende duke punuar që t’i çojmë të dy vendet në negociata. Por nuk është sekret se ndjesia mes shteteve anëtare për Maqedoninë e Veriut është thjesht më e mirë. Të dy vendet i kanë përmbushur kriteret e kërkuara si kusht nga anëtarët e bllokut. Për këtë arsye, kemi bërë një rekomandim për të dyja. Megjithatë, Maqedonia e Veriut nuk ka arritur vetëm reformat e kërkuara, por edhe marrëveshjen historike të Prespës e po kështu, edhe traktatin e miqësisë së mirë me Bullgarinë. Për Shqipërinë, për fat të keq, në plan të parë tani janë problemet si mungesa e opozitës në parlament, fakti që qeveria ka vështirësi në mbajtjen e një dialogu, si dhe procedura për shkarkimin e presidentit”, tha ai.
I pyetur sesa janë gjasat që Shqipëria të marrë dritën jeshile, komisioneri e pati të vështirë të jepte një përgjigje të drejtpërdrejtë.
”Nuk mund ta them me siguri, shpresa ime është që të gjitha forcat politike në Shqipëri ta njohin seriozitetin e situatës dhe të kuptojnë se çfarë po bëjnë me sjelljen e tyre. Sepse popullsia e dëshiron në masën 80 përqind çeljen e negociatave të anëtarësimit, dhe këtë e mbështesin votuesit e të gjitha partive”, u shpreh Hahn.
Hahn nënvizoi nga ana tjetër se nëse së Maqedonisë së Veriut do t’i lejohet hapja e negociatave në tetor, atëherë kjo sipas tij do të ndikojë pozitivisht në gjithë rajonin./TCh