Përplasjet përmes deklaratave, kryesisht përmes rrjeteve sociale, të zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpërfaqin vullnetin, por edhe drojën për bashkëpunimin ndërmjet këtyre dy partive për formimin e qeverisë së re të vendit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.
Të dy këto parti, të cilat, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit kanë marrë shumicën e votave të qytetarëve –Lëvizja Vetëvendosje e para dhe pas saj Lidhja Demokratike e Kosovës –ndonëse thonë së janë duke punuar për përafrimin e qëndrimeve mbi parimet e qeverisjes së ardhshme, zyrtarët e këtyre partive në disa raste kanë shkëmbyer polemika.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tre ditë më parë, në rrjetin social Facebook, ka thënë se “asnjë parti s’mund ta formojë qeverinë e vetme” dhe se “ajo që është e qartë, është se emri i kryeministrit kalon nëpër zyre të LDK-së”.
Ndaj kësaj deklarate, të njëjtën ditë ka reaguar, po ashtu, përmes rrjetit social Facebook, Albulena Haxhiu, nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se “emri i kryeministrit është vendosur më 6 tetor”, duke aluduar në liderin e partisë së saj, Albin Kurtin.
Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, që polemika të ngjashme ndërmjet eksponentët e të dy partitë janë parë edhe gjatë fushatës zgjedhore. Por, sipas tij, pesha politike, e cila ka rënë mbi këto dy parti për ta krijuar një qeveri, duket se nuk është duke u kuptuar mirë nga eksponentë të caktuar nga të dy partitë.