Në kushte normale, Ballist Morina, do të duhej të ekstradohej në shtetin ku pretendon se ka bërë një vepër penale të prishjes së rendit publik. Edhe pse s’e ka prezantuar asnjë fakt se e ka lëshuar dronin në shtetin serb, formalisht, ka plotësuar kriteret ligjore për t’u ndjekur penalisht. Por, në kontekstin ballkanik, ai s’mund të gjykohet në Beograd pasi drejtësia serbe është kriminale.
1. Droni me flamurin shqiptar në stadiumin në Beograd, në ndeshjen Serbi – Shqipëri, ishte veprim që shumëkujt ia ka zgjuar ndjenjat kombëtare. Në një formë është cilësuar si një fitore e jona ndaj Serbisë. Por, ky veprim në çdo shtet është i kundërligjshëm, dhe nuk përkon me misionin paqësor që e ka sporti. Për më tepër, fare nuk e ndihmon futbollin dhe nuk besoj që edhe neve na ka ndihmuar në aspektin kombëtar. Të mos harrojmë, po të ndodhte ky veprim në Britaninë e Madhe, kryerësi do të përballej me dënim drakonian.
2. Ballisti ka pohuar se droni me flamur shqiptar është vepër e tij. Juridikisht, kjo quhet vetinkriminim. Por, as ai e askush tjetër, nuk e kanë paraqitur asnjë provë tjetër se droni është vepër e Morinës. Gjykata ka obligim ligjor që kur një person e inkriminon veten t’i shqyrtojë edhe provat tjera dhe të vendosë për fajësinë e tij. Pranimi i fajësisë, jo domosdoshmërisht edhe nënkupton që i akuzuari do të dënohet. Për shkak se i vetinkriminuari mund të thotë diçka për famë ose për shkak të problemeve mendore. Për momentin, mua si avokat, ende nuk më ka bindur Ballisti se ai është autor i ngjarjes në Beograd.
3. Kroacia po e mban të paraburgosur dhe proceduralisht është duke i kryer obligimet ndërkombëtare, duke e zbatuar fletarrestin ndërkombëtar ndaj Ballist Morinës. Fakti që kërkesa për ekstradim është bërë nga ana e Serbisë nuk ka asnjë relevancë juridike sa i përket ekstradimit të mundshëm. Droni është ngritur në Beograd, dhe Serbia ka të drejtë dhe detyrim të inicojë procedurën ndaj kryerësit të këtij veprimi. Njëjtë, Kroacia ka obligim ligjor që këtë çështje ta procedojë më tutje. Sidoqoftë, ministri i Drejtësisë i Kroacisë do ta bëjë vlerësimin se a ka kapacitete demokratike dhe se a mund të gjykohet në mënyrë të paanshme Ballisti në Beograd.
Sistemi i drejtësisë në Serbi ende nuk i ka kapacitetet demokratike dhe profesionale për t’u përballur me këtë çështje komplekse. Thjesht, ende ka shumë urrejtje në mes popujve tanë. Droni i ka prekur dhe fyer ndjenjat serbëve. Posaçërisht, ndenjat e pjesës së paarsimuar dhe të paemancipuar. Prandaj, kjo është arsyeja pse Ballisti nuk duhet ekstraduar në Beograd.
4. Në këtë situatë komike, disa politikanë, duke i dalë në mbrojtje Ballistit, po tentojnë të përfitojnë simpati në popullatë dhe të përfitojnë votues. Është problematike të mbrohet publikisht një veprim i cili potencialisht ka mundur të shkaktojë trazira në stadium. Përndryshe, kërkesa e kosovarëve që të mos merret parasysh kërkesa e Serbisë për ekstradim, po i zbeh pastaj kërkesat tona legjitime që të mos merren parasysh provat që Serbia po ia servon Gjykatës Speciale, lidhur me kinse krimet e luftës së fundit në Kosovë. (Gazeta Express)