“Me duart tona”, punëtorët e KEDS-it rinovojnë shkollën në Kamenicë

Kamenicë | 23 Pri 2017 | 14:00 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nxënësit e shkollës fillore “Fan Stilian Noli” në Kamenicë, nga sot, do të kenë një ambient dhe kushte më të mira të mësimit.

Kjo falë punës vullnetare të punëtorëve të KEDS-it, të cilët përmes një iniciative me moton “Me duart tona”, kanë vendosur që ta bëjnë rinovimin e disa pjesëve në këtë shkollë, pasi siç thanë, kanë parë që nxënësit e kësaj shkolle vijojnë mësimin në kushte të rënda.

Ngjyrosja e mureve, e radiatorëve, e dyerve e punë të tjera ishin disa nga renovimet që iu bënë, të dielën, kësaj shkolle.

Zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, tha se aksioni i punëtorëve të KEDS-it, është aksion vullnetar në mënyrë që nxënësit e kësaj shkolle të kenë kushte më të mira të mësimit.

“Ky është një aksion vullnetar nga punëtorët e KEDS-it, në mënyrë që rreth 500 nxënës te shkollës fillore “Fan Stilian Noli”, këtu në Kamenicë, të kenë kushte më të mira të mësimit. E patë dhe vetë që shkolla është në gjendje shumë të rëndë. Punëtorët e KEDS-it, pasi e kanë parë këtë gjendje, e kanë ndërmarrë një iniciativë që me duart e tyre t’i përmirësojnë kushtet për këta nxënës”, tha ai.

Buzhala tregoi për Ekonomia Online se aksioni quhet “Me duart tona”. “Gjithçka bëhet përmes punës së dorës, në mënyrë që të tregojmë që puna komunitare vlen dhe puna komunitare sot do të përmirësojë jetën e rreth 500 nxënësve dhe të nxënësve të tjerë që do të vijnë”.

Zëdhënësi i KEDS-it thekson se nuk duhet  të priten vetëm iniciativat nga Ministria e Arsimit ose Komuna, por iniciativa e KEDS-it duhet të merret s shembull edhe nga të tjerët.

Drejtori i kësaj shkolle, Mustafë Rrudhani, ka shprehur falënderimin për iniciativën e punëtorëve të KEDS-it. Ai tha se ndihet i lumtur që është përzgjedhur shkolla e tyre.

“KEDS-i ka vendosur të investojë edhe në shkollën tonë; të riparojë dy klasë, sallën e arsimtarëve, korridoret, përmirësimin e poçeve elektrike dhe inventarit. Kjo për neve ka qenë sihariq”, pohoi Rrudhani.

Edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Kamenicës, Agim Shkodra, e vlerësoi si jashtëzakonisht të mirë idenë e punëtorëve të Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike.

“Kjo ide është jashtëzakonisht e mirë dhe shumë e këndshme. Jam shumë i lumtur që po shoh punëtorët e KEDS-it që po punojnë në shkollën tonë. Gjithsesi, kjo shkon në dobi të nxënësve, sepse krijimi i një ambienti më të mirë ndikon në cilësinë e mësimit”.

Shkodra shprehet se iniciativa të tilla duhet të bëhen edhe në shkolla të tjera, dhe nga kompanitë e tjera.

E punëtorët të cilët e kishin përkrahur këtë iniciativë, thanë para kamerës së Ekonomia Online se pa hezitim “dolën në punë” në ditë vikendi, duke e ditur se po iu ndihmojnë fëmijëve që të kenë kushte më të mira për mësim.

“I jam bashkuar aksionit vullnetar të kompanisë sonë me qëllim që fëmijëve tonë t’iu ofrojmë kushte më të mira në shkollë dhe të tregojmë se me duart tona, duke u treguar vullnetarë, mund të ju ndihmojmë atyre që të kenë ambient më të mirë për punë dhe për mësim”, tha Syrmie Kika, punëtore e KEDS-it.

Këtij aksioni i ishte bashkuar edhe Jelena Joniq, punëtore e KES-CO-s në Ranillug. “Sot jam këtu në aksionin për rregullimin e kësaj shkolle. Më vjen shume mirë që jam me kolegët e mi këtu, sepse do t’i gëzojmë fëmijët me këtë. Asgjë nuk më vjen vështirë që t’i bëjë fëmijët të lumtur. Po më pëlqen aksioni dhe kisha pasur dëshirë që të ketë më shumë kësi lloj aksione, sepse mes tjerash ndodh dhe shoqërimi mes njerëzve”, tha Joniq.

Kurse, Sabri Borovci, teknik i prishjeve në Kamenicë, theksoi se i është përgjigjur pa hezitim ftesës pasi që gjendja e shkollës ka qenë e mjerueshme. “Sot i jemi përgjigjur një aksioni të menaxhmentit të KEDS-it për punimet në shkollën fillore ‘Fan Stilian Noli’, duke qenë se gjendja e kësaj shkolle ka qenë e mjerueshme…Jemi duke bërë një punë mjaft të mirë që gjeneratat që mësojnë në këtë shkollë ta ndiejnë veten më mirë”.

“Në çdo aksion kudo qoftë, veçmas në shkolla, duhet të gjithë të kontribuojmë”, deklaroi Borovci.

Ky është projekti i parë i realizuar nga KEDS-i për komunitetin në Kamenicë, derisa projekte të ngjashme janë realizuar në Pejë, në Gjakovë, Prishtinë, Podujevë, Deçan, Suharekë e komuna të tjera.

Zyrtarët e KEDS-it kanë thënë se iniciativat e tilla në të mirë të komunitetit do të vazhdojnë, në baza vullnetare.

 

Të ngjashme