Roger Federer është tërhequr nga French Open, para takimit të rrethit të katërt kundër Matteo Berretini të hënën.
Pas fitores dërrmuese kundër gjermanit Dominik Koepfer, që zgjati tri orë e gjysmë të shtunën mbrëma, Federeri paralajmëroi se do të mundë të tërhiqej nga turne për shkak se nuk dëshironte ta vinte nën rrezik pjesëmarrjen në Wimbledon.
Në një komunikatë në Twitter, Federer tha: “Pas bisedimeve me ekipin tim, kam vendosur se kam nevojë të tërhiqem nga French Open sot”.
“Pas dy operacioneve në gju dhe një viti riaftësimi, është e rëndësishme që ta dëgjoj trupin tim dhe që të sigurohem për të mos i bërë trysni të madhe vetes për ta rimarr veten plotësisht. Jam i lumtur që i fitova tri ndeshje. Nuk ka ndjesi më të madhe se rikthimi në fushë. Shihemi së shpejti”, shkroi Federer në Twitter.
Ky ishte vetëm turneu i tretë që Federer mori pjesë që prej janarit të vitit 2020. Gjatë kësaj periudhe, 39-vjeçari i zhvilloi vetëm gjashtë ndeshje.