Një kandidaturë shqiptare për Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit konfirmoi kandidimin e tij për një vend në organin më të lartë vendimmarrës të UEFA-s, nëpërmjet një postimi në profilin e tij në rrjetet sociale me shpresën që kandidatura e tij të mbështetet nga sa më shumë federata europiane në Kongresin e 3-të të UEFA-s që do të mbahet në Romë në datën 7 shkurt.
“Kandidoj me dëshirën për të përfaqësuar futbollin shqiptar dhe interesat e federatave të vogla në organin më të lartë të futbollit Europian”, – shkruante Duka, duke theksuar dhe një ndër motivet që e shtyu të ndërmerrte këtë sfidë ambicioze në karrierën e tij.
Në kongresin e 43 të UEFA-s do të garojnë 11 kandidatë për 8 vendet vakante në Komitetin Ekzekutiv, siç konfirmon vetë organizmi europian në faqen e tij zyrtare, ku përveç emrit të presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, figurojnë edhe personalitete të tjera të njohura për një mandat katërvjeçar si Davor Suker, apo kreu i Federatës Portugeze, Fernando Gomez, shkruan supersport.al përcjellë Klan Kosova.
Nis në këtë mënyrë një mision i ri për Armand Dukën, që në dy muajt e mbetur deri në datën e kongresit duhet të grumbullojë sa më shumë vota për të arritur kuorumin e nevojshëm për një ndër 8 vendet në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Një fitore e tij do të ishte një arritje e jashtëzakonshme jo thjesht në karrierën personale të Dukës, por njëherazi për gjithë futbollin shqiptar, që jo vetëm do të fitonte prestigj me praninë e parë historike në një organizëm kaq të rëndësishëm, por edhe mbështetjen e nevojshme për progresin në vitet e ardhshme, duke qenë se gjithë çështjet e rëndësishme që kanë të bëjnë me zhvillimin e futbollit kalojnë nëpërmjet Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Kjo nuk është herë e parë që presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit konkurron për një vend në organet e UEFA-s, pasi garoi edhe në prillin e vitit 2017, ku u rendit i 9-ti ndër 11 kandidatët që garonin për 8 vende, duke humbur për vetëm pak vota përballë një liste me personalitete të rëndësishme si Zviginev Boniek, ish-shefi historik i Manchester Unitded, David Gill, apo beniami i Infantinos, italiani Michele Uva. Duka po e tenton sërish, një tjetër provë se është nga ata njerëz që nuk dorëzohen lehtë.