Është vetëm 16-vjeç, por tashmë ka një foshnje 9-muajshe të cilën e mban në prehrin e saj, gjersa pret infermieren e cila po përgatit vaksinën për foshnjën e saj.
Nënat fëmijë, janë të shpeshta në komunitetin romë, ashkali dhe egjitpian. Një prej tyre është edhe nëna Ajete, e cila sot për herë të parë po vaksinon fëmijën e saj.
Vaksinat janë metodat më të mira për të parandaluar sëmundjet dhe vdekjet e fëmijëve.
Por e ëma e foshnjës 9-muajshe që u vaksinua sot në Qendrën e Mjekësisë Familjare të Magures së komunës së Lipjanit, nuk kishte marrë një të tillë asnjëherë andaj për të i gjithë procesi i imunizimit të fëmijës së saj sa dukej i frikshëm aq sa i panjohur.
Janë infermierët Lindita Bytyqi dhe Shemsije Jezerci, të cilat kujdesen që përmes metodave shëndetësore të informojnë nënën, ta qetësojnë foshnjën dhe të tregojnë për rëndësinë që ka vaksina për të mbrojtur fëmijën e saj.
Gjithcka përfundoi brenda sekondave dhe foshnja tashmë mori dy vaksina.
“Kam 15 vjet përvojë punë në imunizim, gjithmonë kam dashur të punojë në këtë sektor të shëndetit publik sepse është jashtëzakonisht ndjenjë e mirë të punosh në shpëtimin e jetërave të fëmijëve. Por kur flasim për imunizimin e fëmijëve të komunitetit romë, ashkali dhe egjiptian përherë kemi problem meqë nuk i sjellin fëmijët për imunizim. Ndoshta mungesa e edukimit, dhe informimit ka një rol këtu,por edhe fakti se jetojnë në kushte të vështira dhe shpesh nuk arrijnë t’i sjellin fëmijët”, tregon infermieria Lindita Bytyqi në Magure.
Por kjo gjendje, sipas saj, ka filluar të ndryshojë, sidomos me implementimin e programit të vizitave shtëpiake, program ky që është mbështetur nga UNICEF, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë e Luxembourgut.
“Në fillim kam mendu që krejt fëmijët i imunizojmë por kur kemi dalë përmes vizitave shtëpiake në terren e kam parë që në fakt nuk i kemi pasur të gjithë fëmijët në repartin e imunizimi, tani kjo ka ndryshuar sepse ne po shkojmë nëpër shtëpi dhe po i vaksinojmë fëmijët”, tregoi infermierja Lindita.
Sipas të dhënave të fundit të Anketës së Treguesve të Shumëfishtë e cila realizohet nga Agjencioni i Statistikave të Kosovës me mbështetjen e UNICEF – anketa e MICS – del se diku 95 për qind e fëmijëve të popullatës shumicë në Kosovë janë imunizuar.
Megjithatë gjendja është jo e mirë tek komunitetet si komuniteti romë, ashkali dhe egjiptian, ku vetëm 30 për qind e fëmijëve janë te vaksinuar.
Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Lipjan, Agim Krasniqi tregoi se janë të përkushtuar që kjo gjendje të përmirësohet në Lipjan, dhe se mezi presin të shohin rezultatet e gjashtëmujorit të parë të këtij viti meqë së fundmi kanë nisur implementimin e programit të vizitave në shtëpi, përmes së cilave thotë se po arrihen grupet më të cenueshme.
“Shtete edhe më të zhvilluara se Kosova kanë probleme me imunizimin 100 për qind, por e kemi pa që ka pasur ngritje të imunizimit sidomos pas epidemive si ky i fruthit që patëm vitin e kaluar. Ne anën tjetër edhe programi i vizitave ne shtëpi na ka mundësuar të arrijmë deri të grupet më të cenueshme që nuk kanë mundësi dhe kushte ekonomike të vijnë në qendrat e mjekësisë familjare. Tash ne shkojmë tek ata”, tha Krasniqi.
Drejtoresha e Departamentit të Shëndetësisë Publike në Komunën e Lipjanit Vlora Limani Hajnuni, ndërkaq tregoi se tashmë kanë ndarë edhe mjete për karburant dhe transport personelit shëndetësor për të mundësuar që vizitat në shtëpi të realizohen deri në vendet më rurale që fëmijët të arrihen 100 për qind dhe imunizimi të realizohet ashtu siç duhet tek të gjithë fëmijët sidomos fëmijët në nevojë dhe ata të komunitetit romë, ashkali dhe egjiptian.
Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin ka falënderuar personelin mjekësor për të gjithë mbështetjen që po japin dhe punën profesionale në shpëtimin e jetës së fëmijës.
“Ju me punën e juaj, po shpëtoni fëmijët. Sot e patën një nënë fëmijë, dhe ju përmes punës suaj i ndihmuat asaj të shpëtojë fëmijën asaj dhe për këtë ju falënderohem në emër të UNICEF-it. Ne do të vazhdojmë te lobojmë qe qe çdo i ri dhe e re në Kosove të përfundoje shkollën, dhe mos te kemi martesa te hershme, ku fëmija e lind femine. Përkrahja dhe qëllimi ynë është që të arrijmë me shërbime 100 për qind te fëmijëve e të gjitha komuniteteve që të vaksinohen por edhe te arrijmë që çdo fëmije dhe çdo i ri te jete i shëndetshmen dhe te jete pjese e sistemit te arsimit”, tha Sahin gjate vizitës së sotme në QKMF në Magure të Lipjanit.
Ai po ashtu ka shprehur falënderim për Ministrin e shëndetësisë, Uran Ismaili, për përkrahjen që po ofron përmes sigurimit të vaksinave, prokurorimin e procesit të cilin e bën UNICEF.
Sahin po ashtu ka shprehur gatishmërinë e përkrahjes për komunën e Lipjanit, si një ndër pesë komunat me prioritet për të punuar në mbrojtjen e fëmijëve dhe fuqizimin e të rinjve.
Ndryshe, ky është vetëm një ndër aktivitetet që UNICEF në Kosovë ka mbajtur në kuadër të shënimit të javës botërore të imunizimit e që mbahet nga 24 deri më 30 prill të këtij viti.
Kjo jave ka për qellim ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e imunizimit të fëmijëve në mënyrë që të parandalohen vdekjet dhe sëmundjet e tyre.