Gazetari Visar Duriqi ka kritikuar Policinë e Kosovës për keqmenaxhim duke thënë se kjo po shpie në incidente të tilla sikurse tragjedia e pesëfishtë që ndodhi dje në Gjilan.
“Problemet në Policinë e Kosovës po shtresohen. Në Policinë e Kosovës, përveç që duhet me ia qajtë hallin për kushtet e vështira dhe mungesën e sigurimit shëndetësor, niveli i menaxhimit në këtë institucion është skandaloz”.
“Policia ka emëruar njerëz të papërgjegjshëm dhe kjo shpie edhe në këso lloj incidentesh, sikurse ai që ishte me vrasjen e një shoferi në Gjilan nga një polic i dehur. Kjo është pasojë e keqmenaxhimit të drejtorisë”.
“Ideja që kur po raportojmë për keqmenaxhim për një institucion të sigurisë të lartë është se që pikërisht mund të çojë në këso pasoja fatale”.
Duriqi në Info Magazine tha se edhe në konfiskimin e armës ndaj polices që po dyshohet se vrau katër familjarët e saj dhe veten, Policia u tregua e pakujdesshme.
“Edhe nëse Policia ia ka konfiskuar armën policës për arsye të shëndetit mendor dhe ajo ka arritur ta marrë atë kjo tregon se ka një nivel aq të dobët. Është tepër herët që tani të përcaktohet edhe trajektorja e gjuajtjes dhe ndoshta të zbulohet që të pesë personat janë vrarë me të njëjtën armë. Për të ardhur në këto përfundime duhet një muaj. Por, përgjegjësit po duan t’i kryejnë për 24 orë”.
Gazetari Duriqi gjithashtu kritikoi edhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, që nuk i suspendoi të gjithë ata policë që u deklaruan se kishin probleme psikike, përkundër rekomandimit të IPK-së.
“Kur ka ardhur në postin e drejtorit Rashit Qalaj kanë nisur hetimet për policët e deklaruar si invalidë të luftë në mënyrë të dyshimtë. Një pjesë e mirë e tyre kanë deklaruar se kanë probleme psikike që të marrin paga shtesë dhe heqje tatimeve prej pagave. Qysh atëherë Inspektorati i Policisë ka bërë rekomandimin për suspendim për këta 185 policë. Por, Qalaj nuk e ka zbatuar dhe s’i ka suspenduar policët që kanë gënjyer se janë invalidë dhe ata që në të vërtetë janë invalidë sepse nëse je invalidë nuk duhesh të jesh polic. Të dyja këto raste janë keq sepse edhe nëse ke mashtruar ke kryer krim”.
Duriqi tha se në shoqërinë kosovare kushdo që tregon se ka probleme psikike stigmatizohet dhe kjo përbën edhe një problem tjetër.