Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, takoi përfaqësuesit e Organizatës “Thirrjet e Nënave”, i cili njoftoi MD-ja ka rifilluar futjen e të dhënave në databazën për personat e zhdukur AMPM, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së kryeministrit, si dhe është punuar shumë në hartimin e Strategjisë për fushën e Mjekësisë Ligjore, ku çështja e të pagjeturve zë vendin kryesor.
Tutje, Dushi tha se Ministria e Drejtësisë e ka mbështetur Mjekësinë Ligjore duke i shpeshtuar takimet koordinuese edhe me Zyrën e kryeministrit. Ai tha se është ndërmarrë edhe iniciativa për konservimin e rrobave dhe se duhet punuar edhe për çështjen e pensioneve për familjarët e personave të zhdukur.
Zëvendësministri Dushi tha se Serbia nuk është aspak bashkëpunuese sa i përket zbardhjes së fatit të të pagjeturve.
“Është e pamundur që Serbia të mos ketë informata lidhur me personat e pagjetur, sidomos kur dihet fakti se edhe sot në qeverinë e Serbisë janë eksponentët kryesorë të atij regjimi kriminal, i cili edhe kishte kryer këto krime dhe ishte angazhuar për fshehjen e gjurmëve të krimit”, tha ai.
Shpreh mirënjohje dhe respekt për ju familjarët e personave të pagjetur, për qëndresën dhe durimin e juaj, si dhe për angazhimin e juaj personal që po bëni për zbardhjen e fatit të më të dashurve tuaj, tha në fund të takimit zëvendësministri Florian Dushi.
Ndërsa, kryetarja e Organizatës “Thirrjet e Nënave”, Nesrete Kumnova, e falënderoi zëvendësministrin Dushi për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme për këto procese dhe për këto familje.