Se kinematografia kosovare është e nivelit botëror dhe po zhvillohet në drejtim të duhur u dëshmua edhe njëherë, kur dy filma të regjisorëve nga Kosova morën çmime të rëndësishme në një festival amerikan.
“T’padashtun” i Edon Rizvanollit mori çmimin e audiencës, e “Martesa” e Blerta Zeqirit atë për debutim në metrazh të gjatë, në festivalin “South East European Film Festival”, që mbahet në Los Angeles, shkruan sot “Koha Ditore”.
Festivali, i cili veç tjerash e ka me rëndësi edhe krijimin e shkëmbimeve kulturore në mes Kalifornisë Jugore dhe Evropës Juglindore, çmimin kryesor ia ka ndarë filmit “Pomegranate Orchard” me regji të Ilgar Najaf.
Në ueb faqen zyrtare të festivalit janë publikuar emrat e fituesve të çmimeve të edicionit të sivjetmë, mes së cilëve edhe “T’padashtun” e “Martesa”, të dy të bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Dhe të dyja rrëfimet e filmave “prekin” luftën e fundit në Kosovë.