Nëse Kurti sot i thotë “po” LDK-së, ai do të jetë kryeministër i Kosovës. Nëse Kurti i thotë sot “po” LDK-së, askush nuk mund të garantojë se i propozuari i kësaj të fundit do të jetë president i Kosovës. 61 votat për kryeministër janë, 80 votat për president duhet edhe shumë përpjekje që të sigurohen. Çka po pritet?
ALBIN KURTI NUK ka qenë kurrë më afër ulëses së kryeministrit të Kosovës. Në fakt, s’ekziston as teorikisht një mundësi më e afërt – i nevojitet një sekondë, ose veç dy germa. Germa P dhe germa O.
Se edhe po të duan, Lëvizja Vetëvendosje! dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të mos bëjnë koalicion dhe të mos merren vesh me njëra-tjetrën. Kjo, për arsyen e thjeshtë, se secili opsion tjetër do të ishte shumë më i dëmshëm për të dyja dhe në kundërshtim me vullnetin e shprehur të qytetarëve më 6 tetor.
Vetëm se duhet që të dyja të kenë pak më shumë besim në njëra-tjetrën se që kanë treguar javëve të fundit.
E ky besim duhet të mjaftojë që të dyja të jenë të gatshme t’i lëshojnë nga pak pe njëra-tjetrës, në mënyrë që rezultati i korrur në zgjedhje të përkthehet në realitet.
EDHE NËSE SHKOHET në zgjedhje të reja, të dyja partitë e kanë të qartë se nuk mund të garantohet suksesi i arritur më 6 tetor. Ta zëmë, edhe nëse Lëvizja Vetëvendosje! do të fitonte më shumë vota në zgjedhje të reja eventuale dhe të dilte sërish e para, kush do t’ia garantonte se partitë e tjera do ta pranonin kandidatin e tyre, Kurtin, për kryeministër në një marrëveshje koalicioni?
Sot, LVV-ja ka vetëm një deputet më shumë se LDK-ja në Kuvend, kurse LDK-ja asnjëherë nuk e ka kontestuar se posti i kryeministrit i takon Kurtit. Kjo është hera e parë në Kosovë kur dy parti që janë renditur si e para dhe e dyta në zgjedhje, dhe atë me diferencë minimale prezence në Kuvend, merren vesh menjëherë për postin e të parit të Qeverisë. Shumë më të shpeshta kanë qenë rastet në koalicionet qeveritare të pasluftës kur partitë më të vogla kanë udhëhequr me Qeverinë, sesa partitë fituese. Kjo ka ndodhur në Qeverinë e parë, kur kryeministër u zgjodh Bajram Rexhepi, pastaj me Qeverinë Haradinaj 1 (bashkë me Kosumin e pastaj Çekun), si dhe në dy qeveritë e kohëve të fundit, atë Mustafa dhe Haradinaj 2. Në të vetmet raste kur partia e parë në zgjedhje ka udhëhequr me Qeverinë kanë qenë ato të Hashim Thaçit në koalicion me LDK-në (PDK 37, kurse LDK 25 deputetë), si dhe me AKR-në (PDK 34, kurse AKR 8 deputetë).
Në anën tjetër, edhe LDK-ja duhet ta dijë se asnjëherë deri më tash një parti e cila ka dalë e dyta nuk e ka marrë gjysmën e Qeverisë, kryetarin e Kuvendit dhe presidentin e vendit. Është e kuptueshme se dallimi është i vogël, se e ka vetëm një deputet më pak dhe pa koalicione parazgjedhore, si dhe se frika është e madhe se do të dominohet nga partia e cila udhëheq me Qeverinë. Por çfarëdo dakordimi i tashëm do të ishte më i mirë sesa të bllokohet vendi dhe të rrezikohet që të shkohet sërish në zgjedhje. Është e vërtetë se LDK-ja ka elektorat stabil, por është gjithashtu e vërtetë se LDK-ja nuk i ka fituar asnjë palë zgjedhje që nga vdekja e dr. Rugovës. Zgjedhjet e reja eventuale vetëm sa do ta dobësonin si parti.
E KUR JEMI TE zgjedhjet e reja – nëse partitë janë aq të çmendura saqë të na çojnë aty – atëherë është thuajse e sigurt se nuk do të përmbushet vullneti i qytetarëve të zgjedhjeve të 6 tetorit, e as i zgjedhjeve të 10 qershorit 2017 (kur sërish LVV dhe LDK, pa koalicione të mëdha, ishin votuar bashkë në mbi 50 për qind nga qytetarët). Zgjedhjet e reja medoemos do ta kthenin në kombinatorikë formimin e koalicioneve qeveritare edhe me njërën nga partitë e PANA-s (PDK, AAK, NSD dhe AKR).
Mirëpo, ka edhe disa stacione të tjera të mundimshme deri në opsionin katastrofal të zgjedhjeve të reja. Nëse LVV synon të shkojë në zgjedhje, atëherë nuk i duhet të negociojë vetëm me LDK-në, por edhe me PDK-në, AAK-në dhe me partitë e tjera parlamentare. Vetëm Kuvendi mund të votojë për zgjedhje të parakohshme. Nëse nuk konstituohet Kuvendi, atëherë s’ka edhe se si të votohet për ta shpërbërë atë. Kurse për shpërndarje nevojiten së paku 61 vota të deputetëve, e Kurti aktualisht i ka vetëm 29.
Me çfarë kushtesh do t’ia sigurojnë partitë e tjera LVV-së edhe 31 vota të tjera?
Ose, me çfarë kushti do të pranojnë ata deputetë që ia kanë dalë të mbledhin vota për të hyrë në Kuvend tash ta votojnë fundin e këtij pandati ende pa filluar, pa asnjë garanci se do të rizgjidhen?
Në anën tjetër, kush garanton se PANA nuk do të bëhet prapë bashkë për një koalicion parazgjedhor, plus me motivim shtesë për të fituar kësaj radhe, pas disfatës së fundit?
Të mos harrohet, kësaj radhe janë LVV-ja dhe LDK-ja që do ta nëpërkëmbin vullnetin e qytetarëve të cilët i kanë votuar dhe të cilëve iu kanë premtuar pareshtur se do të qeverisin bashkë. Pse qytetarët, të cilët i kanë votuar këto parti një herë, me mendimin se do të bashkëqeverisin, do ta kenë entuziazmin e njëjtë për t’i votuar prapë nën besimin se “do të bashkëqeverisin”. Është bukur e saktë kur thuhet se zgjedhjet e reja çojnë në koalicione të reja qeverisëse. A nënkupton kjo respektim të votës së 6 tetorit?
KOSOVËS I DUHET qeveri e re tash. Zgjedhja e presidentit është edhe një vit e gjysmë larg. Nëse Kurti sot i thotë “po” LDK-së, ai do të jetë kryeministër i Kosovës. Nëse Kurti i thotë sot “po” LDK-së, askush nuk mund të garantojë se i propozuari i kësaj të fundit do të jetë president i Kosovës.
61 votat për kryeministër janë, 80 votat për president duhet edhe shumë përpjekje që të sigurohen.
Pa pasur së paku marrëveshje për kuorum në sallë të Kuvendit, që është 80 vota, LVV-ja dhe LDK-ja s’mund ta zgjedhin presidentin. Siç nuk mund ta bllokojë zgjedhjen e presidentit asnjë parti, ose grup parlamentar, që s’i ka së paku 41 deputetë të vet në Kuvend.
As LVV-ja e as LDK-ja, si të vetme, nuk do t’i kenë nga 41 deputetë të vet në legjislaturën e ardhme, kështu që asnjëra prej tyre s’mund ta përdorë veton, në qoftë se ka ndonjë grupim deputetësh, të cilët duan ta votojnë një person të caktuar në postin e të parit të vendit dhe i kanë siguruar 2/3 e votave.
Pra, çdo pajtim i sotëm i Kurtit dhe i Mustafës për postin e presidentit mund të jetë vetëm zotim i vullnetit, por absolutisht jo edhe siguri për zgjedhjen e personit të propozuar prej tyre në atë post.
Por, pajtimi i sotëm i LVV-së dhe LDK-së për të parin e qeverisë do ta bëjë Kurtin kryeministër.
Kështu që, s’ka pse të pritet 26 dhjetori, dita e konstituimit të Kuvendit për marrëveshjen që e presin 52 për qind e qytetarëve të Kosovës. Gjithçka është vetëm dy germa larg, që shqiptohen brenda një sekonde.