Arshi Pipa në poezinë “Kosovës”, farkon sintagmën “vulën e dhunës”, të cilën shqiptarit të Kosovës ia ka shkaktuar mbi vetulla “kamxhiku sllav”, duke fiksuar kështu edhe pamjen fizike të shëmtuar nga sunduesi. “Sot tjetërkush ta gzon frutin e punës/mbi tokën tande, Kosovë, je skllav!/Ta shof përgjakun, heu, vulën e dhunës,/ qi t’la mbi vetulla kamxhiku sllav!” E gjithë kjo poezi e Pipës vërtet është antologjike dhe do të duhej të futej në librat shkollorë, si një vlerë artistike e papërsëritshme, por sintagmat “vula e dhunës” dhe “kamxhiku sllav”, përtej transponimit artistik të realitetit dhe përjetimit estetik të veprës artistike, na japin koordinatat e shkakut dhe pasojës së gjendjes së njeriut shqiptar në Kosovë. “Vula e dhunës” është pasoja që ka mbetur e gravuar në fytyrën e njeriut shqiptar të Kosovës nga “kamxhiku sllav”, që është shkaku i vuajtjes dhe gjymtimit të tij. Këto dy sintagma janë të përshtatshme për ta kuptuar historinë e dhunës mbi shqiptarët nga sundimi sllav dhe pasojat që ka lënë ai sundim njëshekullor në shoqërinë e Kosovës dhe në shtetin e ri. Dhuna ka qenë konstanta e jetës së njeriut shqiptar në Kosovë që nga viti 1912 e deri në vitin 1999, me oscilime të ndryshme, brenda të cilave disa herë janë lancuar projekte për zhdukjen e plotë fizike të tij, ndërsa dy herë është provuar edhe krimi i gjenocidit.
Kosova si viktimë e krimeve të gjenocidit përgjatë një një shekulli
Herën e parë gjenocidi kundër shqiptarëve në Kosovë është zbatuar kur ajo ra nën pushtimin serb, në kasaphanën që prodhoi komploti ballkanik dhe rus i vitit 1912, i emërtuar si Lufta e Parë Ballkanike. Ajo nuk ishte luftë ballkanike, sepse katër shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria e Mali i Zi) kishin një aleancë ushtarake të detajuar, për të copëtuar tokat shqiptare, gjoja nën prekekstin e dëbimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani. Pra, në të ashtuquajturën Lufta e Parë Ballkanike, shtetet ballkanike ishin bashkë, në një komplot kundërshqiptar të paketuar si kundërosman. Komploti antishqiptar e antiosman i shteteve ballkanike vetëm në vitin 1913 u shndërrua në luftë ballkanike, pasi shtetet komplotiste nuk iu përmbajtën akordit për copëtimin e tokave shqiptare. Ky definim i saktë është shumë i rëndësishëm, për dy arsye, e para, ngase këtu e ka farën armiqësia ndërmjet shqiptarëve e serbëve për Kosovën, lufta e të cilëve ende nuk ka përfunduar dhe e dyta, ngase krimi i gjenocidit, meqë atëherë mbeti i pandëshktuar, u përsëritë në vitin 1998-1999. Studiuesi amerikan, Justin McCarthy, në studimin e tij “Vdekje dhe dëbim-Spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 1821-1922”, duke folë për numrin enorm të viktimave muslimane në Perandorinë Osmane sjellë edhe këtë dëshmi për shqiptarët: “Konsujt britanikë dhe të vendeve të tjera, shpesh kanë raportuar me saktësi atë që iu është bërë shqiptarëve, ndonëse politikanët nuk lejuan që publiku i vendeve të tyre të shikonte raportet e konsujve. Për shembull, diplomatët mbajtën shënim se menjëherë mbasi Mali i Zi mori trojet shqiptare të veriut, në vitin 1878, të gjithë shqiptarët e territoreve të pushtuara ose u vranë ose dëbuan me dhunë. Të dhënat e Luftërave Ballkanike tregojnë se në Ballkanin Qendror dhe Perëndimor, 27% e myslimanëve kanë vdekur dhe 35% e tyre kanë marrë arratinë. Shqiptarët pësuan një vdekshmëri që ishte, të paktën, po aq e madhe.”(f. 16) Prej kësaj dëshmie del rezultati se 62% e shqiptarëve ose janë vrarë, ose e kanë braktisur vendin e vet! Pra, vrasja dhe dëbimi i 62 për qind të shqiptarëve, jo vetëm që nuk është shpallë gjenocid, po në fakt është fshehur dhe ëthë shpërblyer nga Fuqitë e Mëdha të atëhershme evropiane. Faktikisht, ky është gjenocidi më i madh në përqindje i një populli të vrarë e të dëbuar në truallin e Evropës, por që qëllimisht është fshehur! Meqë gjenocidi i vitit 1912 Serbisë i është shpërblyer, ajo e ka përsëritur atë në vitet 1998-1999. Edhe në gjenocidin e dytë u tentua e ashqutuajtura “zgjidhje përfundimtare”, me dëbimin e gjysmës së shqiptarëve nga Kosova, me vrasjen e mijëra civilëve dhe me realizimin e taktikës së “tokës së djegur”, për të cilën pati folë edhe ish sekretari i OKB-së, Kofi Anani. Kosova as kësaj here nuk ka ngritë (ende) padi as për gjenocidin e viteve 1998-1999, ndonëse ai mund të faktohet lehtësisht.
Po qe se e evokojmë me këtë rast definicionin e OKB-së mbi gjenocidin (1948), na rezulton saktësisht se në Kosovë Serbia ka kryer gjenocid në të dyja rastet, më 1912-1913 dhe më 1998-1999. Në artikullin 2 të Konventës së OKB-së për gjenocidin, thuhet: “Sipas kësaj Konvente, me gjenocid nënkuptohet cilido nga aktet e përmendura më poshtë, të kryera me qëllim të shkatërrimit, në tërësi ose pjesërisht, të ndonjë grupi nacional, etnik, racor os religjioz, e ato janë:
(a) Vrasje e anëtarëve të grupit,
(b) Shkaktim i dëmeve serioze trupore ose mentale ndaj anëtarëve të grupit,
(c) Imponim i qëllimshëm i kushteve të jetës mbi grupin, të kalkuluara për të shkaktuar shkatërrimin e tij fizik në tërësi ose pjesërisht,
(d) Imponim i masave me intencë të pengimit të lindjeve brenda grupit,
(e) Transferim me forcë i fëmijëve të grupit në një grup tjetër.
Të katër format e krimit të gjenocidit janë të faktueshme në rastin tonë, për çka ka dëshmi të shumta.
Bile, jo vetëm për gjenocidin e vitit 1998-1999, por edhe për atë të vitit 1912. Fjala vjen, gazetari amerikan i gazetës “The Nev York Times”, Pikthtall, duke qenë dëshmitar okular i marshimit të armatës së kral Petrit në tetor 1912, ka shkruar: “Masakrat që kryen serbët në Kosovë, nën Kryqn’ e Krishtenë, kapërcejnë çdo instikt gjakpirësie.” Ndërsa konsulli austro-hungarez në Shkup, raportonte se me të hyrë në Prishtinë, më 22 tetor 1912, forcat ushtarake serbe kishin ekzekutuar pesë mijë shqiptarë. Dëshmi të tjera thonë që me të hyrë në Prizren, armata serbe ka vrarë 5000 shqiptarë dhe gjaku ka rrjedhë si përrua lagjeve të qytetit. (Shih: Srbija i Albanci, Çasopis za kritiko znanosti, Lubljana, 1989.) Edhe ushtari i mobilizuar dhe gazetari socialist serb, Dimitrije Tucoviqi, ka lënë dëshmi tronditëse për krimet e armatës serbe në Kosovë e veçmas në krahinën e Lumës, ku sipas dëshmisë së tij, armata serbe i markonte fshatrat me gëlqere se gjoja aty kishte rënë murtaja, pastaj atje hynin ushtarët nëpër shtëpi dhe i digjnin njerëzit të gjallë. Në një artikull Tucoviqi dëshmon: “Për dy orë fshati u zhduk me skena që është vështirë të përshkruhen. Të shtënat i rrëzonin gratë që i mbanin foshnjat në gjinj, skaj nënave të vdekura qanin fëmijët e tyre të vegjël që rastësisht kishin shpëtuar nga plumbat: trupat e malësoreve të bukura, belholla si bredhat, përdridheshin si krimbat në fushë, gratë lindnin nga frika. Për dy orë u vranë 500 shpirtra.” Një një rast tjetër Tucoviqi dëshmon se si ushtarët serbë i lidhnin civilët shqiptarë rreth sanave, pastaj ia futnin flakën sanës dhe ashtu i digjnin njerëzit e gjallë! Faktikisht këto kanë qenë mjete gjenocidale, sikundër që edhe qëllimi fillestar i komplotit ballkanik ka qenë gjenocidal: qëllimi ishte që nën preteksitn e luftës kundër Perandorsië Osmane, të zhdukej kombi shqipar dhe tokat e tij të ndaheshin ndërmjet serbëve, bullgarëve, grekëve e malazezve. Pra, edhe qëllimi e edhe mjetet e përdorura kanë qenë tipike gjenocidale, edhe në komplotin ballkanik të vitit 1912. Ëshë gjithsesi ilustrativ për ekzistimin e qëllimit të gjenocidit edhe fakti se Serbia ka financuar dhe ka përdorur në terren edhe organizatat speciale terroriste, si “Këshilli Kryesor i Organizatës Çetnike”, të idejuar nga ministri i jashtëm Spallajkoviq, “Narodna Odbrana” (1908), të udhëhequr nga gjenerali Bozhidar Jankoviq dhe organizata tjetër terroriste, “Dora e Zezë’(1911), e cila udhëhiqej nga koloneli famëkeq, Dragutin Dimitrijeviq-Apisi.
Ndërmjet vitit 1912 e viteve 1998-1999, kur u përsëritë krimi i gjenocidit serb kundër shqiptarëve në Kosovë, ka pasur edhe disa tentativa të dëbimit dhe të spastrimit etnik: Elaborati i Vaso Çubrilloviqit (1937) Programi i Çubrilloviqit për pakicat (1945), Elaborati i Stevan Moleviqit, Projekti i Drazha Mihajlloviqit (1941), Projekti i Ivo Andriqit (1937?) , Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencae dhe të Arteve (1986.) Fjala vjen, Në dokumentin “Instruksionet”, të Drazha Mihajlloviqit, në kapitullin “Përdorimi i aradhave çetnike në Mal të Zi”, pika 2, lideri çetnik propozonte : “Forcat pjesërisht të veprojnë nëpër Çakorr në drejtim të Rrafshit të Dukagjinit me detyrë që në këtë drejtim të spastrohet territori nga shqiptarët, si dhe t’u pritet rruga atyre që do të ndiqen nga Peshteri-Sanxhaku.” Ndërsa në Elaboratin “Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e re”, (1945) Çubrilloviqi propozonte: “Në qoftë se dëshirojmë të arrijmë qëllimin e ndërlidhjes së ndërsjellë të Malit të Zi, të Serbisë e të Maqedonisë, Kosova e Rrafshi i Dukagjinit duhet ta ndryshojnë me themel përbërjen etnike të tyre. Para së gjithash duhet të spastrohet Rrafshi i Dukagjinit si krahinë kufitare, fqinje e Malit të Zi, e cila është e përshtatshme për kolonizimin e malazezve.” Ndërsa, gjenocidi i viteve 1998-1999 de facto është vërtetuar edhe në Tribunalin e Hagës, ku u dënuan për krimet në Kosovë krerët e shtetit serb, ndonëse emri gjenocid nuk iu vu krimeve të bëra, për shkaqe thjesht politike.
Kosova si çështje religjioze serbe dhe çështje nebuloze shqiptare
Kosova si shtet që ende ka mbikëqyrje ushtarake (KFOR) dhe civile (EULEX dhe rezoluta 1244) ndërkombëtare, ka dalë prej kësaj historie të gjatë të dhunës dhe krimeve të gjenocidit. Edhe pse e ka shpall pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe është njohur nga njëqind e dhjetë shtete të botës, Kosova është direkt ende e kërcënuar nga Serbia, e cila nuk e njeh si shtet. Përkundrazi, në Kushtetutën e Serbisë Kosova mbahet në preambullë si pjesë përbërëse e shtetit serb. Poashtu Kisha Ortodokse Serbe ngulmon që Kosova është Serbi dhe do të mbahet e tillë edhe me dhunë. Patriarku i KOS, Irinej, edhe në mesazhin e Krishtlindjeve të këtij viti ka thënë: “Kosova dhe Metohia janë Jerusalemi ynë, toka jonë e shenjtë.” Në një rast tjetër ka deklaruar se siç është marrë me dhunë, Kosova do të kthehet nën Serbi me dhunë. Nga ana tjetër, për çdo vit, në të ashtuqujatërn festë e Vidovdanit (27 qershor) grupe ekstremistësh serbë nga mbarë Serbia vijnë në Gazimestan, ulërasin sloganin “Kosova është Serbi”, përleshën me policinë dhe lënë mesazhe kërcënuese se do të kthehen e do të hakmirren. Sllogani më tipik i Kishës Ortodokse Serbe është “Ovvetiti Kosovo”(të hakmirremi për Kosovën), që i referohet betejës që serbët e kanë humbur në ballafaqim me osmanët në vitin 1389. Pra ata planifikojnë hakmarrjen ndaj shqiptarëve, të cilët i njëjtësojnë me osmanët, ashtu siç kanë bërë edhe në Bosnje e Hercegovinë, veçmas në Srebrenicë. Pra, çështja e Kosovës nga aspekti serb, nuk është vetëm çështje politike, ideologjike e nacionale, po më së shumti është çështje religjioze. Motivimi i dhunës më së shumti e ka burimin te përjetimi religjioz i çështjes së Kosovës nga shumica e serbëve të djeshëm e të sotëm, përjetim të cilin e përdorin për të arsyetuar dëbimin e shqiptarëve nga “toka e shenjtë serbe” dhe për vrasjen masive të tyre, si gjoja pasardhës të vrasësve të shejtit të Kishës serbe, car Llazarit.
Fatkeqësisht, Kosova e sotme, nuk ka ndonjë projekt me të cilin do ta amortizonte ose do ta rivalizonte projektin religjioz serb për Kosovën si “Jerusalem serb” dhe ”tokë e shenjtë serbe.” Me përpjeket që janë bërë nga historiografia dhe publicistika marksiste shqiptare, për t’i paraqitur shqiptarët si gjoja aleat të Serbisë kundër osmanëve, në Betejën e Kosovës të vitit 1389, vetëm sa i janë shtuar kreditet Serbisë për argumentimin e saj se ajo ishte dhe është lidere e Ballkanit dhe se Kosova në atë kohë ka qenë tokë serbe. Tentimi që t’i konkurohet Serbisë për pronësi të shqiptarëve mbi atë betejë, është naivitet, sepse Serbia e ka patentuar me shekuj pronësinë mbi atë betejë, duke e falsifikuar e duke e mitizuar në përmasa mitologjike e religjioze. Mundësia tjetër e shqiptarëve, por që nuk po jep rezultate, është ndërtimi i një narracioni për Dardaninë antike dhe për prejardhjen dardane të shqiptarëve të saj. Por, mungesa e dokumentimit të gjuhës dhe e dëshmive të tjera të forta, këtë tentativë e mban pezull. Një mundësi tjetër është që të ndërtohet narracioni konkurues shqiptar për Kosovën si tokë e triumfit të Islamit, që në shekullin XIV, por shqiptarët nuk e kanë guximin që ta lancojnë këtë narracion, për shkak të rrethimit islamofobik ballkanik e gjithevropian. Ndërsa, tentimi që të mbahet rivaliteti me narracionin e serbëve, me vlerat e Krishterimit latin, nuk ka potenciale, ngase vetëm rreth 5 për qind e shqiptarëve të Kosovës i përkasin këtij konfesioni. Pra, shqiptarët nuk e kanë ndonjë naracion konkurues me serbët për të kaluarën e Kosovës. Kjo mungesë mund të shfaqet shumë kërcënuese në të ardhmen dhe të prodhojë dhunë të re. Pse? Ngase serbët duke e trajtuar si çështje religjioze, vazhdimisht mund të mobilizojnë jo vetëm Kishën, po edhe një pjesë të madhe të kombit serb për luftë në Kosovë, ndërsa shqiptarëve do t’u mungojë një motivim më i fortë për ta mbrojtur Kosovën nga agresioni serb i radhës, veçmas nëse triumfon versioni që Kosovën e kanë një atdhe tranzitor, drejt një shteti tjetër, Shqipërisë së bashkuar! Pra, njëra nga dobësitë e shtetit të Kosovës është përjetim i tij si tranzitor prej shqiptarëve, ndërsa njëri nga adutet më të forta të serbëve është se e trajtojnë si atdhe biblik prej serbëve. Me kohë qasja serbe dhe përjetimi religjioz i Kosovës prej tyre, mund të shndërrohet në përparësi të pakthyeshme dhe pastaj u mbetet vetëm ta presin rastin për revansh, në konstekstin e ndonjë ndryshimi gjeopolitk të favorshëm për ta. Nga ana e tyre, strategët ushtarakë serbë ashtu thonë, pra, presin fuqizimin e Rusisë dhe dobësimin e Amerikës, për ta zbatuar revanshin. Pra, dhuna nuk është vetëm histori, po edhe plan veprimi për të ardhmen i shtetit serb, i elitave serbe, shoqërisë serbe, kombit serb dhe mbi të gjitha i Kishës serbe, si emblema e tyre.
A do të transformohen shqiptarët e Kosovës, apo do të mbeten peng i mendësisë serbe të dhunës
Ato plane ogzurzeza të serbëve do të mund të parandaloheshin vetëm nëse do të ndodhte një transformim i vërtetë i shqiptarëve të Kosovës dhe një fuqizim konkret i shtetit të tyre. Tranformimi i shqiptarëve të Kosovës! Tingëllon si oksimoron! Prej çkahi drejt çkahit, duhet të jetë ky transformim? Transfromimi do të thotë shkëputje nga shumë sedimente e sentimente politike, kulturore e madje edhe antropologjike, më shumë se sa nga ato gjeopolitike, prandaj edhe janë më komplekse dhe më të vështira për t’i arritur. Në fakt, në aspektin gjeopolitik, intervenimi i NATO- i vitit 1999, me Marrëveshjen e Kumanovës dhe rezoluta 1244 e Këshilli i Sigurimit, bashkë me Planin e Ahtisarit, e kanë krijuar një kontekst për shkëpututjen e Kosovës nga trashëgimia serbe dhe transformimin e saj, gjë që është proklamuar me pavarësimin e Kosovës në vitin 2008. Por trashëgimia politike, kulturore e antropologjike me prejardhje sllave ende nuk ka filluar as të analizohet e lëre më që të sanohen pasojat e saj në shtetin e ri dhe në shoqërinë e re. Shpërthimi i dhunës dhe hakmarrjes së shqiptarëve ndaj serbëve në vitin 2004, ka dhënë sinjalin e qartë se pasioni i dhunës dhe hakmarrjes ndër shqiptarë është prezente dhe pret klimën e përshtatshme që të shpërthejë. Paraprakisht uzurpimet e shumta të shtëpive dhe të pronave serbe nga ana e shqiptarëve, pas vitit 1999, kanë provuar se edhe në mesin e shqiptarëve ka jo pak persona që nuk e kanë problem ta përdorin dhunën për të arritur qëllime pasurore e politike. Kjo prirje për dhunë në vitet e fundit është drejtuar ndaj vetë shqiptarëve, që nga sulmet fizike ndaj zyrtarëve shtetërorë, përdorimi i gazit lotsjellës në parlament, sulmi me zollë ndaj godinës së Kuvendit e deri te shkatërirmi i pronës private të kundërshtarëve politikë. Pra, elemente të dhunës ka jo pak brenda shoqërisë së sotme të shqiptarëve të Kosovës, që tërhiqet rëshanë, si trashëgimi politike, kulturore e antropologjike nga jetesa në sundimin serb. Kjo trashëgimi negative është duke e penguar transformimin. Meqë Kosova nuk ka pasur ndonjë traditë të jetës politike të pavarur, ajo trashëgiminë në këtë fushë e ka të huazuar. Paradoksalisht, huazimi më i dukshëm është nga vetë Serbia, okupatori i deridjeshëm i saj, i cili gjatë nëntëdhjetë vjetëve ka injektuar në mendësinë tonë politike e kulturore disa nga idetë dhe nga praktikat e ndjekura prej saj. Pra, është fjala për injektim të padukshëm e tinëzar të atyre ideve dhe praktikave, e jo për një huazim të ndërgjegjshëm. Ku shihet kjo trashëgimi politike, e mbetur si një virus i fshehur në jetën politike të vendit tonë?