Të hënën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ka përfunduar gjykimi ndaj dy ish-drejtorëve të Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Ajmane Barani dhe Pajazit Hajzeri.
Hajzeri akuzohet për falsifikim të dokumentit zyrtar, ndërsa Barani akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, si dhe për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Fetije Bajrami Shala, ka kërkuar që dy të akuzuarit, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, pasi sipas saj, është vërtetuar se ata kanë kryer veprat penale me të cilat akuzohen.
Në anën tjetër, përfaqësuesja e e të dëmtuarit Naim Bunjaku, avokatja Kada Bunjaku-Perçuku, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar më shkrim, duke thënë se i përkrah deklarimet e prokurores.
Kurse, akuzuara Ajmane Berani, ka deklaruar se ajo nuk e ndien veten fajtore, duke mohuar të ketë shkelur ligjin.
“Nuk jam fajtore dhe nuk kam shkel asnjë ligj. Mendoj se e kam respektuar ligjin dhe kërkoj që të shpallem e pafajshme”, ka thënë Bunjaku.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Pajazit Hajzeri, avokati Sheremet Ademi, fjalën përfundimtare e ka dhënë me shkrim, duke shtuar se nuk është provuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale.
Ai ka kërkuar që klienti i tij të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga akuza.
Gjykatësi Beqir Halili, ka njoftuar palët se shpallja e aktgjykimit do të behët më 28 janar 2020, në ora 14:30.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 10 dhjetor 2018, Ajmane Barani, po akuzohet se në cilësinë e drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, më 2 shtator 2015, në Kuvendin Komunal të Mitrovicës me dashje ka keqpërdorë pozitën e saj dhe autoritetin zyrtar, duke i tejkaluar kompetencat e saj dhe duke mos i përmbushur detyrat e saj zyrtare, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër, apo t’i shkaktojë dëm dhe t’i shkel të drejtat e personit tjetër.
Bazuar në aktakuzë, derisa anëtaret e komisionit për vlerësim dhe poentim të kandidatëve ishin mbledhur që t’i intervistojnë kandidatët për gjuhën frënge, e pandehura Ajmane Barani, u është drejtuar anëtareve të komisionit, përkatësisht Njomza Hamzës dhe procesmbajtësit Isa Sejdiu me fjalët “mos e bëni poentimin dhe vlerësimin e kandidatëve, sepse këtë e bëjmë më vonë” dhe për këtë arsye anëtarët e komisionit nuk e kanë nënshkruar procesverbalin.
Sipas aktakuzës, në po të njëjtën ditë, i dëmtuari Naim Bunjaku është lajmëruar nga zyrtarja e DKA-së, Shefkije Dragaj se është pranuar si mësimdhënës i gjuhës frënge, ku ai ka filluar punën si mësimdhënës, por më 7 shtator 2015, është njoftuar nga drejtoresha e Arsimit, përkatësisht tani e akuzuara Barani se “nuk ka buxhet dhe orët do t’ia ndaj arsimtarëve të tjerë”.
Gjithmonë sipas aktakuzës, me datën e njëjtë është shpallë lista e punëtorëve të pranuar, ku thuhet se nuk është përfillur afati i ankesës, siç shkruan 15 ditë, por menjëherë ka filluar punën kandidatja Luljeta Ibrahimi.
Bazuar në aktakuzë, në procesverbalin e pa nënshkruar nga anëtarët e komisionit shihet se pikët më të larta tani i janë dhënë Luljeta Ibrahimit dhe atë 30 pikë, ndërsa të dëmtuarit Naim Bunjaku i janë dhënë 29 pikë, për çka edhe është anuluar ky konkurs.
Më këtë, organi i akuzës, e ngarkon Ajmane Baranin, me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas pikës së dytë të dispozitivit, e akuzuara Ajmane Barani, si drejtoreshë pranë DKA-së ka shkelur në mënyrë të kundërligjshme, ka mohuar të drejtat personit tjetër të cilat janë të parapara më Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ka keqpërdorë detyrën zyrtare dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e saj.
Bazuar në aktakuzë, i dëmtuari Naim Bunjaku sipas konkursit të shpallur më 2 shtator 2015, ishte paraqitur para komisionit për vlerësimin e kandidatëve dhe se atë ditë ka marr konfirmim se është pranuar në pozitën e mësimdhënësit të gjuhës frënge, nga zyrtarja pranë kësaj drejtorie Shefkije Dragaj, e bazuar në aktakuzë, thuhet se e kishte urdhëruar e akuzuara Barani.
Më tej, thuhet se i dëmtuari ka filluar punën më 4 shtator 2015 dhe ka punuar deri më 7 shtator 2015, ku më pas e akuzuara Barani përmes drejtorit të shkollës kishte njoftuar të dëmtuarin që të paraqitej në zyrën e saj, kur i dëmtuari Bunjaku ka shkuar tek e akuzuara në zyrë, sipas aktakuzës, atëherë ajo e ka lajmëruar se “për vendin e punës së tij nuk ka buxhet dhe se derisa të bëhet ndonjë zgjedhje do t’ia shpërndaj orët e mësimit tek arsimtaret e tjerë”.
Sipas kësaj aktakuze, i dëmtuari ishte përgjigjur se do të punojë pa pagesë, pastaj e akuzuara i ka premtuar se deri më 11 shtator 2015 do t’i kthej një përgjigje, por kur i dëmtuari Bunjaku kishte shkuar më 18 shtator 2015 në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, kishte parë listën e mësimdhënësve të pranuar e në të cilin nuk figuronte emri i tij, por i kandidates tjetër Luljeta Ibrahimi, ku në të cilën datë i dëmtuari Bunjaku kishte punuar.
Për këtë pikë të aktakuzës, Ajmane Barani akuzohet për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës” nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e në bashkim real me veprën penale si nën pikën 1 të dispozitvit.
Ndërkaq, sipas pikës se tretë të dispozitvit të kësaj aktakuze, Pajazit Hajzeri akuzohet se më 14 tetor 2015, në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, saktësisht në zyrën e DKA-së, në cilësinë e ish-drejtorit të Arsimit, me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare ka vërtetuar dokumentin zyrtar dhe atë procesverbalin e “Gjimnazi- Frang Bardhi”, në Mitrovicë, pikërisht vendimin për lëndën edukatës fizike dhe për lëndën gjuhë frënge, për kandidatët kinse janë poentuar dhe themeluar marrëdhënie pune, pasi që kanë marrë pikët kinse nga anëtaret e komisionit, e që thuhet se shihet se ky dokument është i pa datë dhe i pa nënshkruar nga anëtaret e komisionit.
Në vazhdim të aktakuzës thuhet se vërtetohet se pas mbajtjes së intervistës më 2 shtator 2015, atë ditë është pranuar kandidati Naim Bunjaku ku dhe atë ditë është lajmëruar nga Drejtoria e Arsimit në Mitrovicë se duhet të fillojë punën pasi që ka qenë më i suksesshmi ndërsa sipas procesverbalit pikët më të larta ia kanë dhënë kandidates Luljeta Ibrahimi.
Bazuar në aktakuzë, i akuzuari ka vulosur dhe nënshkruar procesverbalin e lartcekur edhe pse e ka parë se i njëjti nuk ka qenë i nënshkruar nga anëtarët e komisionit, të cili e ka anuluar Inspektorati i Punës.
Me këtë, Pajazit Hajzeri, akuzohet për veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 434 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.