Ferronikeli dhe Trepça ’89 kanë qenë goxha aktive gjatë verës. Kanë bërë ndryshime të mëdha në skuadra për edicionin e ri në Superligën e Kosovës në futboll. Synimet janë të njëjta për të dyja skuadrat – kthimi i titullit të kampionit. Trepça ’89 ishte kampione në vitin 2017, ndërsa Ferronikeli në vitet 2015 e 2016.
Dueli i ish-kampionëve, Ferronikelit dhe Trepçës ’89 do të hapë edicionin e ri të kampionatit të Kosovës në futboll, atë 2018\19.
Ndeshja hapëse do të zhvillohet të shtunën (sot) nga ora 16:45 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas. Katër ndeshje të tjera të javës së parë luhen të dielën, ndërsa dueli mes Prishtinës e Gjilanit të hënën mbrëma, shkruan sot Koha Ditore.
Është ky edicioni i tretë pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA. Është një kampionat prej të cilit pritet shumë. Parashikimet e njohësve të futbollit janë që edicioni i ri të jetë më interesanti dhe më i forti deri më tani. Klubet po avancojnë vazhdimisht në organizim, lojtarët po paguhen dukshëm më shumë dhe kështu profesionalizmi po rritet.