Punëtorët e “Ferronikelit” protestojnë të enjten para Qeverisë, thonë se janë para kolapsit

Prishtinë | 22 Shk 2022 | 13:45 | Nga Ekonomia Online

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Ferronikelit” ka njoftuar se punëtorët e kompanisë “NewCo Ferronikeli” do të protestojnë, këtë të enjte, para objektit të Qeverisë së Kosovës.

“Kërkesë kryesore do të jetë ndërmarrja e veprimeve konkrete nga ana e qeverisë për kthimin në prodhim dhe kthimin e punëtorëve të ‘Ferronikelit’ në punë, të cilët po vuajnë pasoja të rënda ekonomike nga kriza e gjatë”, thekson Sindikata, në një njoftim për shtyp.

“Pesë muaj pas ndërprerjes së prodhimit në fabrikë, qeveria në vazhdimësi ka neglizhuar kërkesat tona të natyrës urgjente, përkundër thirrjeve e lutjeve për ndihmë dhe dy protestave paqësore me numër të lartë pjesëmarrësish”.

Sipas sindikalistëve, sot “NewCo Ferronikeli” mbetet kompania e vetme në Kosovë, e pambrojtur nga tarifat e vendosura të energjisë dhe e ekspozuar hapur ndaj krizës, “ndryshe nga secila kompani apo biznes tjetër në vendin tonë, që mbrohet nga tarifat dhe subvencionohet nga shteti për ta përballuar këtë situatë”.

Sindikata konsideron që kjo është një padrejtësi dhe diskriminim i pashembullt ndaj punëtorëve të kompanisë.

Protesta do të mbahet më 24 shkurt, me fillim nga ora 12:00.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme