Memli Krasniqi takon sindikalistët e Ferronikelit: Qindra vende pune janë rrezikuara – qeveria duhet të veprojë

Prishtinë | 15 Mar 2022 | 16:59 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot përfaqësuesit e Sindikatës së punëtorëve të Ferronikelit, fabrikë e cila ka ndërprerë punën për shkak të krizës energjetike.

Krasniqi ka thënë pas takimit me Fehmi Nikën me bashkëpunëtorë se punëtorët e Ferronikelit kërkojnë ndihmë dhe mbështetje, të cilat mund të ofrohen, nëse Qeveria vendosë të dëgjoj kërkesat e tyre e të mos mbyllë sytë.

“Një gjigant si Ferronikeli, ka qenë dhe mbetet krenaria e vendit tonë. Fatkeqësisht, sot po kalon nëpër një gjendje shumë të rëndë për shkak të krizës me energjinë elektrike. Kryetari i Sindikatës së Ferronikelit, Fehmi Nika dhe bashkëpunëtorët e tij sot gjatë takimit që patëm, më informuan se qindra vende të punës janë të rrezikuara seriozisht”, tha Krasniqi.

“Punëtorët e kësaj fabrike kërkojnë ndihmë dhe mbështetje, të cilat mund të ofrohen, nëse Qeveria vendosë të dëgjoj kërkesat e tyre e të mos mbyllë sytë. Në këtë periudhë të sfidave të shumta dhe rritjes së të gjitha çmimeve të produkteve esenciale, për qindra punëtorë të kësaj fabrike do të ishte jashtëzakonisht e rëndë të mbeteshin pa punë. Prandaj, ftoj Qeverinë që të gjejë sa më parë një zgjidhje që situata në fabrikën e Ferronikelit t’i kthehet shpejtë normalitetit”, tha Krasniqi.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme