Një lëkundje me magnitudë 6.3 e shkallës Rihter tronditi ishullin indonezian të Lombokut në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, duke detyruar njerëzit të dilnin menjëherë në rrugë, vetëm dy javë pasi një tërmet i fuqishëm u mori jetën më shumë se 460 personave.
Lëkundja e fundit sizmike e kishte qendrën perëndim dhe jugperëndim të qytezës Belanting, në Lombokun lindor, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, me një thellësi prej 7 km. Banorët thanë se sizma u ndie shumë e fortë në lindje të ishullit, shkruan Tch.
Tërmeti është ndierë gjithashtu në kryeqendrën e ishullit, Mataram, si dhe një ishullin fqinj të Balit, një resort i famshëm turistik. Ai vjen dy javë pasi një lëkundje me magnitudë 6.9 e shkallës Rihter rrënoi më 5 gusht mijëra shtëpi, xhami dhe biznese në mbarë Lombokun.
Indonezia, një shtet-arkipelag prej mijëra ishujsh, ndodhet në të ashtuquajturën “unaza e zjarrit” në Paqësor, ku pllakat tektonike përplasen me njëra-tjetrën duke shkaktuar shumë tërmete, por edhe vullkane nga më të fuqishmit në botë.
Në vitin 2004, një dallgë e madhe cunami, e shkaktuar nga një lëkundje e nëndetshme me magnitudë 9.3 pranë brigjeve të Sumatrës, në perëndim të Indonezisë, shkaktoi vdekjen e 220 mijë njerëzve në shtetet përreth oqeanit Indian, përfshi 168 mijë në Indonezi.