Me vetëm dy javë të mbetura për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbetet i angazhuar me një sërë vendimesh emergjente. Në rrethanat kur detyrën e Presidentit e ushtron një figurë e Lëvizjes Vetëvendosje, zhvillimet e fundit – nga rikthimi i përshpejtuar i nismave ligjore të rrëzuara më parë nga Gjykata Kushtetuese, te riemërimet në krye të institucioneve të sigurisë – po lexohen gjerësisht si strategji e mirëmenduar për konsolidimin pushtetit, me zero ekuilibra kontrollues.
Zgjatja e mandatit të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, edhe për pesë vjet të tjera – vendim i nënshkruar së fundmi me urgjencë nga Kryeministri Kurti dhe U.D. Presidentja Haxhiu – i bën kristal të qarta planet e Kurtit, sipas politologut Algon Maliqi.
Ai e shpreh këtë shqetësim përmes një paralajmërimi serioz për trajektoren e demokracisë në vend. Sipas tij, kryeministri po shfrytëzon vakuumin presidencial jo për të kërkuar konsensus, por për të konsoliduar dominimin politik.
“Kurti i ka prioritetet shumë të qarta. I gjithë muaji të cilin e ka në dispozicion për t’u zgjedhur presidenti (duke e pasur edhe U.D president nga VV) po kalohet duke e pasur si prioritet sigurimin e kontrollit mbi institucionet e pavarura që janë kyçe për demokracinë”, shkroi Maliqi.
Maliqi solli në vëmendje të gjitha veprimet me nguti të ndërmarra së fundi nga Kurti, ndërkohë që mbeten edhe pak ditë afat për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
“Gjykata Kushtetuese, Bordi i RTK, Komisioni i Pavarur i Mediave, AKI – të gjitha janë çuditërisht në proces të përzgjedhjes së drejtuesve nga një shumicë përndryshe e karakterizuar nga dembelia për punë serioze. Për shkak se shumica e tashme parlamentare dhe qeverisja me president U.D ia jep këtë mundësi, Kurti qartazi nuk ka pasur interesim për konsensus me opozitën për presidentin. Me këto institucione së shpejti nën kontroll, edhe Presidenti, edhe zgjedhjet e reja bëhen më pak problematike. E din baba çka po lypë “populli” e po ua jep. Skenar i parë dhe përjetuar në të gjithë Ballkanin dhe që përfundon dikur me fatin e Orbanit.”
Nga ana tjetër, Qeveria miratoi Projektligjin për masat e përkohshme për produktet themelore në treg (“çmimet tavan”), duke e paraqitur si mburojë kundër “fryrjes artificiale” dhe spekulimit në kohë krize. Vetëm pak ditë më pas, Kuvendi e miratoi në lexim të parë Projektligjin nr. 10/L-030, me 63 vota pro dhe 19 kundër, në një seancë të jashtëzakonshme ku opozita bojkotoi procesin e votimit.
Për deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami, ngutia e Kurtit për të shtyrë përpara nisma ligjore – siç është rasti me Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, e rrëzuar në qershor 2024 për cenim të parimit të barrës së provës, apo Ligji për Çmimet Tavan, i rrëzuar në nëntor 2023 si ndërhyrje arbitrare në ekonominë e tregut – dëshmon qartë synimin e Kurtit.
Sipas saj, këto veprime zbulojnë strategji të qartë që synon vendosjen e një qeverisjeje arbitrare në detyrë, pa debat dhe pa llogaridhënie institucionale, në mungesë të Kuvendit funksional.
“Albin Kurti po na çon në zgjedhje. Kjo është arsyeja pse po don me i kalu ligjet me afate të përshpejtume. Albini po don me kry punë me Kuvend dhe mandej me qeverisë pa Kuvend dhe pa mbikëqyrje. Prej dhjetorit të vitit 2024 s’ka pasë Kuvend funksional. Tash me kalu ligje me shmangie. Pse këto urgjenca? Urgjencë me ba ligje që s’mund të zbatohen kurrë.”