Dy qeveritë shqiptare, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës, pas mbledhjes së përbashkët që u mbajt në Pejë, kanë bërë homazhe në Prekaz.
Ata kanë vendosur kurora lulesh pranë varrit të komandantit, Adem Jashari dhe të rënëve të tjerë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se Prekazi është vendi më i përshtatshëm për të uruar qytetarët për festat e Nëntorit.
“Nuk ka vend me të përshtatshëm për t’i uruar festat e nëntorit sesa në këtë vend”, tha Rama.
E kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se është nder që dy qeveritë janë në vizitë në Prekaz.
“Ishim për nderim në Prekaz, vendi ku e bashkon tërë Kosovën. Kemi nderin qe jemi të dy qeveritë këtu”, tha ai.
Përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari falënderoi dy qeveritë për vizitën ne kompleksin Jasharaj.
“I falënderoj për vizitën të dy qeveritë dhe ua uroj të gjithë shqiptarëve festat e nëntorit”, ka thënë Jashari.
Në homazhe ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Vesleli.
Ai tha se prioritet i Kosovës mbetet integrimi në Bashkimin Evropian.
“Urime të gjithëve festat e Nëntorit. Ne nuk do të ndalemi dhe askush nuk do ta ndal rrugëtimin tonë si komb. Prioritet mbi prioritet mbetet integrimi në Bashkimin Evropian”, ka thënë Veseli.