Ngec publikimi i informacioneve në komunat Kamenicë dhe Viti. Mungesa e tyre dhe përditësimi në web faqet e komunave ka ndikuar që të dobësohet transparenca në raport me qytetarët.
Në ueb faqen e Komunës së Kamenicës nuk është publikuar asnjë informatë për drejtorët e drejtorive komunale dhe nuk është publikuar asnjë raport për punën e tyre, shkruan sot Koha Ditore.
Gjithashtu nuk ka informata se kush është pjesë e komiteteve në këtë komunë dhe nuk është publikuar asnjë raport kurse pjesërisht janë publikuar informatat për zyrat të cilat janë në kuadër të Komunës.
Ndërkaq në ueb faqen e Komunës së Vitisë mungojnë raportet e punës së drejtorive komunale dhe raportet e tjera. Në qeverisjen lokale të Kamenicës deklarojnë se ata janë në fazën fillestare të reformimit të Zyrës së informimit në këtë komunë, ngase konsiderojnë se ka mungesë të profesionalizimit që ka ndikuar edhe në transparencën. Shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Kamenicës, Nol Nushi, deklaron se në ueb faqen e Komunës do të publikohen të gjitha informatat dhe raportet të cilat përbëjnë interes për publikun. Ai thotë se ata janë në vitin e parë në krye të qeverisjes lokale dhe se shumëçka kanë trashëguar nga ish-qeverisja lokale.