Ndeshja ndaj Kosovës do të jetë e veçantë për dy lojtarë të përfaqësueses së Italisë në hendboll. Ata do të jenë përballë përfaqësueses së vendit të tyre të lindjes. Bëhet fjalë për vëllezërit Ardian e Endrit Iballi, që janë pjesë e rëndësishme e përfaqësueses së Italisë.
Ardiani është i lindur në vitin 1994 dhe luan në pozitën qendër. Madje është qendra kryesore në përfaqësuesen italiane, përgjegjës për të organizuar lojën e ekipit. Endriti është i lindur në vitin 1999 dhe luan në pozitën e pivotit. Vëllezërit Iballi janë pjesë e skuadrës Conversano, që është prej kryesoreve në kampionatin italian, shkruan Koha Ditore.
Ndeshja Italia – Kosova luhet të premten më 10 janar në Benevento të Italisë. Ndeshja i takon Grupit 3 të fazës së parë kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2021. Në grup janë edhe Rumania e Gjeorgjia, ndërsa vetëm fituesi i grupit avancon tutje. Kosova, njëjtë si Italia, ka synime të fitojë grupin. Me gjasa të mëdha llogaritet edhe Rumania.
“Jemi duke u përgatitur mirë për këto ndeshje. Jemi duke zhvilluar ndeshje miqësore që në takimin e parë kualifikuese të jemi në formë sa më të mirë. Natyrisht që synojnë të kualifikohemi. E dimë që është e vështirë, por luajmë në Itali dhe kjo shpresojmë se na jep më shumë entuziazëm e forcë”, ka thënë Ardian Iballi në një bisedë për gazetën. Ai është i entuziazmuar që do të luajë kundër Kosovës.
“Kur është hedhur shorti dhe janë caktuar grupet, e kam parë se Kosova dhe Italia janë në të njëjtin grup. Ishte shumë emocionuese për mua, por edhe për vëllain tim, Endritin. Jemi duke e pritur këtë ndeshje për disa muaj. Për ne është një ndeshje e veçantë dhe do të jetë shumë emocionuese”, ka theksuar i madhi i vëllezërve hendbollistë.