I pandehuri kryesor akuzohet për 38 delikte ndërsa një bashkëpunëtor i dyshuar i tij, për 17, është shprehur prokurori publik Ulrich Brunke në Gjykatën e Landit (republikane), në Braunschweig.
Nga më shumë se 100 rastet e njohura deri më tani, akuza përfshin vetëm një pjesë të tyre, ka shtuar ai, transmeton albinfo.ch. Sipas aktakuzës, dëmi i përgjithshëm i shkaktuar nga vjedhjet është së paku 1.4 milionë euro.
Të pandehurit, 37 dhe 36-vjeçarë thuhet se kanë vepruar në mbarë vendin në përbërje të ndryshme me bashkëpunëtorë të ndryshëm, midis dhjetorit 2019 dhe korrikut 2021, raporton ndr.de.
Me një rrjet kompanish, emra të rremë dhe pasaporta të falsifikuara, ata kanë marrë me qira, ndër të tjera, mini-ekskavatorë, ngarkues me rrota dhe targa vibruese.
Sipas aktakuzës, ata kanë marrë me qira ose i kanë shitur në të gjithë Gjermaninë, pajisjet që nuk janë kthyer mbrapsht.
37-vjeçari i dyshuar si autori kryesor mësohet se kishte në pronësi të paligjshme një armë zjarri me municion.
Aktakuza lexohet në gjuhën shqipe
Vetëm për leximin dhe përkthimin e akuzave në shqip, pasi të dy të akuzuarit janë të lindur në Kosovë, janë dashur disa orë, në fillim të procesit gjyqësor, të mërkurën në mëngjes.
Sipas aktakuzës, mashtruesit e dyshuar vepronin më së shumti nga Saksonia e Ulët (Niedersachsen). Kompanitë e prekura nga sektori i ndërtimit janë të shpërndara në disa shtete federale.
Sipas prokurorisë publike, disa nga makineritë e ndërtimit ishin të pajisura me GPS. Pronarët kishin vënë re shpejt se automjetet e tyre nuk po shkonin në kantieret e specifikuara, por diku tjetër në autostradë dhe kishin njoftuar policinë. Kjo bëri të mundur, ndër të tjera, sigurimin e një numri makinash në Braunschweig dhe Gifhorn.
Dy të pandehurit aktualisht ndodhen në paraburgim. Në nisje të gjykimit u vu në dukje se një autor i këtij grupi ishte dënuar tashmë nga Gjykata e Qarkut në Wolfsburg. Për të thuhet se ka bërë një pranim të plotë të veprës dhe është dënuar me një vit e nëntë muaj me kusht.
Procesi në Braunschweig do të vazhdojë të premten.
Të përfshirët kanë sinjalizuar gatishmërinë e tyre për tu marrë vesh në drejtim të një mirëkuptimi të mundshëm, përcjell albinfo.ch. Kjo bën të mundur shkurtimin e dukshëm të procesit.
Deri në fund të shkurtit janë planifikuar disa data për sesionet e gjykimit.