Fraksioni brenda Partisë së Drejtësisë “Lëvizja për Drejtësi”, e që pretendon se i ka shumicën e degëve të PD-së, sot do të futet në koalicion parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online, Fidan Mustafa, i cili ka thënë se zyrtarizimi i koalicionit me LDK-në do të ndodhë brenda ditës së sotme.
“Ne si Lëvizje për Drejtësi, që kemi më shumë se 15 degë, kemi vendosur që të futemi në koalicion parazgjedhor me LDK-në. Pas konsultave që i kemi pasur me zyrtarë të LDK-së jemi dakorduar që të lidhim një koalicion parazgjedhor. Kjo do të bëhet brenda ditës së sotme”, ka thënë Mustafa për Ekonomia Online.
Po ashtu “Lëvizja për Drejtësi” gjatë ditës së sotme do të bëjë koalicion me Lëvizjen Vatra, të cilat së bashku në zgjedhjet e 11 qershorit do të garojnë me LDK-në.
Kujtojmë se një pjesë e anëtarësisë së Partisë së Drejtësisë, nuk ishte pajtuar me kryetarin Ferid Agani dhe kanë mbajtur një Kuvend të Jashtëzakonshëm në të cilin shkarkuan kryetarit e tyre.
Mirëpo, KQZ-ja nuk e njohu atë kuvend dhe kështu ky fraksion tashmë ka formuar “Lëvizjen për Drejtësi”.
Ndërsa Partia e Drejtësisë e udhëhequr nga Ferid Agani e cila është në koalicion me PDK-në, pritet që edhe këto zgjedhje të shkojë në koalicion me PDK-në.