Ka përfunduar afati ligjor i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve e lartë publik, proces ky i filluar më 1 mars.
Për shkak të situatës së krijuar nga Coronavirusi, procesi është shtyrë në mënyrë elektronike deri në një vendim tjetër nga Qeveria.
Drejtori i Agjenicës kundër Korrupsion (AKK), Shaip Havolli, ka bërë të ditur për Ekonomia Online se deri me tani rreth 2 mijë zyrtarë kanë deklaruar pasurinë e tyre.
Havolli ka folur për mundësinë elektronike e cila iu është ofruar zyrtarëve për shkak të virusit Covid-19.
“Afati i rregullt për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët e lartë publik ka qenë nga 1 marsi deri me 31, sot është dita e fundit. Por për shkak situatës nga Covid-19, ka njoftuar gjithë zyrtarët se afati do të shtyhet. Deri me tash kemi pranuar një numër të madh të formularëve të deklarimit të pasurisë nëpërmes postës elektronike, për tu mos u infektuar”.
“Janë 4694 zyrtarë që duhet ta bëjnë deklarimin e rregullt, ku deri me tani vetëm rreth 2000 zyrtarë kanë deklaruar pasurin, do të thotë 50% e tyre. Në këtë vit është një numër i madh për shkak të ndërrimit të qeverisë dhe institucioneve”, tha ai.
Sipas tij, ka pasur probleme sa i përket sigurimit të informacioneve, ngase pothuajse të gjitha institucionet punojnë me kapacitete të limituara.
“Ka zyrtarë të lartë që kanë probleme të sigurojnë informacionet. Në bankat komerciale, brenda në institucionet, Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave dhe zyrat kadastrale e Dogana derisa pothuajse të gjitha punojnë me kapacitet të limituar. Agjencia do të njoftoj se kur do të jetë afati i fundit i deklarimit të pasurisë me qëllim që ata të mos të bëjnë shkelje ligjore”, u shpreh Havolli.
4 mijë e 694 zyrtarë kanë për obligim ligjor deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë ne Agjencinë kundër Korrupsionit.