Dy persona kanë vdekur si pasojë e Coronavirusit, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë të hënën.
Sipas MSH-së, ata kanë vdekur në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Bëhet fjalë për një burrë 59-vjeçar nga Prishtina dhe një grua 70-vjeçare nga Korisha e Prizrenit. Të dy kishin sëmundje shoqëruese dhe në Klinikën Infektive u pranuan në gjendje të rëndë.
Me këto dy raste, është rritur në tre numri i të vdekurve si pasojë e koronavirusit në Kosovë. Të infektuar janë 145.
Kjo është bërë e ditur nga një komunikatë e QKUK-së.
“Sot me datë 06.04.2020 në Klinikën Infektive të QKUK-së dy pacientë me COVID 19 kanë përfunduar me vdekje. Në ora 03:00 ka përfunduar me vdekje pacienti i gjinisë mashkull S. N, 1961, Prishtinë, i cili është pranuar në Mjekimin Intenziv të Klinikës Infektive më 04. 04. 2020, transfer nga Qendra Emergjente e QKUK-së dhe ka qenë me sëmundje shoqëruese (Diabetes Mellitus tip 2. Sy hepatorenale). Pacienti është pranuar në Klinikën Infektive në gjendje të rendë pa vetëdije. Në ora 07:10 ka përfunduar me vdekje pacientja e gjinisë femër, N. R, 1950, Korishë, Prizren, e cila është pranuar po ashtu në Mjekimin Intenziv të Klinikës Infektive më 02. 04.2020 dhe ka pasur sëmundje shoqëruese (Diabetes Mellitus, Nephropathia diabetica, Hypertensio arterialis dhe Cardimyopathia chronica)”, thuhet në njoftimin e MSH-së.