Saktësisht gjashtë muaj më parë, Ardian Ismajli kishte dhënë fjalën se do të luante për Kosovën. Ish-presidenti i ndjerë i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, e kishte vizituar atë në Kroaci, pasi kishte raporte se ai mund të luante për Shqipërinë.
Të mërkurën, mbrojtësi u përfshi për herë të parë në listën e kombëtares së Shqipërisë, ndërsa të enjten në një intervistë për mediat kroate ka bërë të ditur se para gjashtë muajsh i kishte premtuar përzgjedhësit të Shqipërisë, Christian Panucci se do të luante për Shqipërinë, shkruan sot Koha Ditore.
Bazuar në fjalët e Ismajlit i bie që ai përafërsisht në të njëjtën kohë ka dhënë dy premtime. Të ndjerit Vokrri, sipas një njoftimi të FFK-së, i kishte premtuar se do të luante për Kosovën, ndërsa përzgjedhësit italian të Shqipërisë se do të luante për Shqipërinë.
Ismajli 22-vjeçar të enjten ka folur për sajtin kroat “24sata.hr”, pasi të mërkurën refuzoi të flasë për mediumet kosovare.
Në shkrimin në sajtin kroat thuhet që për vendimin e Ismajlit ka qenë vendimtare ftesa e Panuccit, “të cilit Ismajli ia ka dhënë fjalën që do t’i përgjigjet ftesës qysh para gjashtë muajve”.