Tri ditë pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, kishte mbyllur hetimet për dosjen e Provimit të Jurisprudencës së kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, Policia kishte ngritur kallëzim penal ndaj Enver Hasanit.
Policia e Kosovës, përmes togerit Avni Namani dhe policit hetues Jeton Maxhuni, inicioi kallëzim ndaj Hasanit për lajmërim të rremë, duke u bazuar në nenin 390 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton KTV.
Por, që nga ajo ditë, kallëzimi penal vazhdon të qëndrojë në shkrimoren e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kjo pasi disa prokurorë kanë refuzuar ta marrin nën hetim.
Përmes shortit, lënda për herën e parë i ishte ndarë prokurores Merita Shala, e cila pas disa muajsh kishte bërë kërkesë për lirim nga kjo lëndë me pretekstin se i ati i saj, Sahit Shala, kishte qenë i përfshirë në rastin e hetimeve për dosjen e manipuluar të provimit të Jurisprudencës të Aleksandër Lumezit.
Kohavisioni ka arritur të shohë dosjen e dorëzuar nga Policia e Kosovës në mesin e së cilës ndodhet edhe refuzimi i dytë për të marrë lëndën nga prokurori i ri, i cili ishte drejtor i zyrës së Prokurorit Disiplinor, Zef Prendrecaj.
Më 14 shkurt, lënda i ishte ndarë Prendrecajt, por ai ka kërkuar lirimin nga ajo me arsyen se lënda është e vjetër, pasi data e regjistrimit të saj është më e vjetër se sa dekretimi i tij si prokuror.
Prendrecaj është thirrur në nenin 6. 3 të kësaj rregulloreje, e cila qartëson se “prokurorët me mandat fillestar do të ngarkohen vetëm më lëndë të reja”, andaj sipas tij, mosrespektimi i kësaj rregulloreje mund t’i kushtojë me masa disiplinore.
Televizioni ka provuar të vë kontakt me Prokurorin Themelor në Prishtinë, nga ku ka arritur vetëm të konfirmojë se lënda është përgatitur për ndarje dhe të martën pritet që sipas shortit t’i caktohet një prokurori tjetër.
Mosndarja e lëndës për më shumë se 5 muaj, bie në kundërshtim edhe me Kodin e Procedurës Penale, ku neni 82, i cili flet për hedhjen e kallëzimit penal të Policisë, cakton afatin kohor prej 30 ditësh kur duhet të kryhet ky veprim.
Madje, kjo bie në kundërshtim edhe me vetë vendimin e kryeprokurorit të Shtetit të datës 29 prill 2016, përmes të cilit kishte obliguar të gjithë prokurorët e shtetit që brenda afatit prej tre muajve nga dita e pranimit të kallëzimit penal, të nxjerrin Aktvendim për fillim të hetimeve, nëse i njëjti kallëzim penal nuk është hedhur poshtë.
Por, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë thonë se nuk i kanë shkelur afatet, pasi deklarohen se kjo Prokurori bën përjashtim.
Sidoqoftë, vepra me të cilën ngarkohet ish-kreu i Kushtetueses, Enver Hasani, që është lajmërimi apo kallëzimi i rremë, dënohet me gjobë ose me burgim prej tre muaj deri në tri vjet.