Posta e Kosovës ka emetuar sot dy pulla postare në 30 vjetorin e themelimit të Teatrit të Qytetit të Prishtinës “Dodona”.
“Dodona” është teatri i vetëm i kukullave në Kosovë dhe i vetmi që ka dy skena: për fëmijë, si dhe për të rritur.
Gjatë 30 vjetëve të ekzistencës, në këtë teatër janë dhënë mbi 150 premiera në të dy skenat, ndërkaq numri i shikuesve përgjatë viteve i afrohet shifrës 700 mijë. Po ashtu, janë dhënë shumë shfaqje të tjera.
Teatri i Qytetit të Prishtinës (më parë i njohur si Teatri i të Rinjve, Fëmijëve dhe i Kukullave) është themeluar me 12 nëntor 1986 me vendim të Bashkësisë punuese të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Për themelimin e tij, personi më meritor është Rabije Bajrami, por edhe Smail Imeri si bashkëpunëtor kryesor i saj, i cili ka dhënë propozimin që ky teatër të quhet “Dodona”, emërtim me të cilin do të njihet nga vitet ’90 të shekullit të kaluar.
Në themelimin e këtij institucioni kanë kontribuar edhe regjisorë, shkrimtarë e artistë të ndryshëm. Gjatë viteve të regjimit serb, “Dodona” ka mbajtur gjallë jetën kulturore e artistike shqiptare në Prishtinë.
“Dodona” është e njohur edhe për regjisoren e shfaqjeve me kukulla, shpirtin e fëmijëve në këtë teatër, Melihate Qena.
Ky është vendi ku fëmijët takohen për herë të parë me teatrin dhe ku marrin hapat e parë krijuesit e së ardhmes. Po ashtu, është mbështetësi kryesor i studentëve të Fakultetit të Arteve, krijuesve të ardhshëm të artit skenik në Kosovë.
Drejtor i këtij institucioni ka qenë edhe aktori edhe regjisori ikonë i “Dodonës”, Faruk Begolli. Drejtori i parë i Teatrit “Dodona” ka qenë Enver Petrovci. Drejtori i tretë Agim Selimi. Ndërkaq, drejtori i katërt, Agron Shala.
“Dodona” është teatri që edhe këtë vit ka shënuar rekord me shikueshmëri – si çdo vit tjetër. Ndërkaq, është teatër që shquhet për sakrificën e stafit, gjithmonë për vullnetin e madh për të ndihmuar dhe krijuar, ndonëse ballafaqohet me mungesë të mjeteve financiare.
Ky teatër ka marrë një numër të madh të çmimeve në festivale të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.