Dy produksione teatrore nga Kosova do të shfaqen para audiencës në Tiranë, në një festival që cilësohet si një prej ngjarjeve më të rëndësishme teatrore të vitit në kryeqytetin shqiptar.
“Kaligula” e Teatrit Kombëtar të Kosovës, realizuar nën regji të Kushtrim Koliqit dhe “Ata që ikin” e teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit, e regjisorit Kushtrim Bekteshi, janë pjesë e programit të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit. Festivali sivjet do të mbahet mes datave 23 e 30 shtator dhe në të do të prezantohen 14 trupa nga të gjitha trevat shqiptare.
“Kushtrim Koliqi, regjisor i “Kaligulës”, ka thënë se ftesa për prezantim në Tiranë i është drejtuar Teatrit Kombëtar të Kosovës, specifikisht për këtë shfaqje. Ky është fillimi i rrugëtimit të “Kaligulës” së TKK-së.
Prezantimi në festivale jashtë vendit ka dalë të jetë goxha sfidë për Teatrin Kombëtar të Kosovës.
E me shfaqjen “Ata që ikin” regjisori Kushtrim Bekteshi e ka marrë çmimin vjetor për regjinë më të mirë në fushën e teatrit për vitin 2017, që ndahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit. Përveçqë e ka bërë regjinë, Bekteshi e ka shkruar edhe tekstin e shfaqjes që përfshin kastën prej 12 aktorësh. Dramën e ka shkruar para dhjetë vjetësh dhe trajton fatin e njerëzve që ikin, qoftë nga e kaluara, dashuria, tmerri i përditshmërisë, realiteti që ua zë frymën, apo edhe vetvetja. Kjo me shpresë se një ditë do të ndihen të plotësuar e të lumtur