Gati katër vjet pritje sollën te kjo ditë. Saktësisht 1.432 ditë pasi goli në kohën shtesë i Mario Gotzes bëri që në fanellat e lojtarëve të Gjermanisë të shtohet ylli i katërt, Rusia dhe Arabia Saudite dalin në fushën e blertë për të nisur një kapitull të ri në historinë e jashtëzakonshme të Kupës së Botës në futboll.
Të dy përfaqësueset hyjnë në ndeshjen hapëse të botërorit në një formë të jodëshirueshme. Nikoqirja, Rusia ka dështuar të fitojë në shtatë ndeshje miqësore, prejse e mposhti Korenë e Jugut në tetor.
Ndërkohë Arabia Saudite ka humbur tri ndeshje miqësore rresht, kurse përballë kishte kundërshtare të forta si Italia, Peruja dhe kampionia në fuqi e botës, Gjermania, transmeton Koha Ditore.
Rusia e Arabia Saudite po ashtu shpresojnë për fitore në stadiumin “Luzhniki” për t’i dhënë fund shterpësisë në fazën finale të ngjarjes globale. Rusia nuk ka fituar në botëror që nga viti 2002, derisa fitorja e fundit e Arabisë Saudite në Kupë të Botës ishte në “ShBA 1994”.
Në ndeshjen hapëse të botërorit takohen dy përfaqësueset e ranguara më së ulëti nga FIFA. Rusia, që është e 70-ta në ranglistën e FIFA-s, është kualifikuar direkt për botëror si organizatore e ngjarjes. Arabia Saudite mban vendin e 67-të, përkatësisht më të ulëtin prej 31 përfaqësueseve që u kualifikuan për botëror.