Shkodran Bytyqi nga Ferizaj është gjetur i vrarë dhe i djegur mbrëmë rreth orës 19:00, në Ferizaj. Trupi i tij i pajetë është gjetur ndërmjet Gadimes së Lipjanit dhe Kishnapoles së Gjilanit. Deri tani, për këtë rast janë arrestuar dy persona. Bëhet fjalë për një 22 vjeçar me inicialet T.L dhe një 25 vjeçar me inicialet B.L.
Arrestimin e tyre e ka konfirmuar, Togeri Agim Gashi. Gashi ka thënë se dy të arrestuarit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, derisa trupi i 32-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Mbrëmë rreth orës 19:00 është gjetur një trup i pajetë, në lokacionin afër fshatit Kishnapole. Dyshohet për vrasje të rëndë. Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Lidhur me rastin, janë arrestuar dy persona. Me urdhër të Prokurorit, janë ndaluar për 48 orë. Të gjitha njësitet policore, në bashkëpunim me Prokurorin, janë duke punuar për t’i zbardhur rrethanat se si ka ndodhur ky rast. Të arrestuarit janë T.L, 22 vjeçar dhe B.L, 25 vjeçar”, ka thënë Gashi për Express.
Ndryshe, Bytyqi ishte raportuar gjatë javës së kaluar si i zhdukur. Rastin në Polici e kishte paraqitur babai i tij, i cili kishte thënë se i biri është larguar nga shtëpia, sipas tij për shkak të një borxhi.
“Ankuesi mashkull K-Shqiptar ka informuar se i biri i tij mashkull K-Shqiptar është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Ankuesi dyshon se për shkak të një borxhi, viktima është larguar”, thuhej në njoftimin e Policisë.