Reshjet e mëdha të shiut dhe shtresat e akullit e të borës kanë shkaktuar vërshime të mëdha në pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dy persona kanë vdekur, përfshirë një burrë që po përpiqej t’i shpëtonte disa njerëz tjerë nga uji i ftohtë i vërshimeve.
Vërshimet kanë thyer rekorde në të paktën pesë shtete të Shteteve të Bashkuara dhe kanë bërë që autoritetet ta shpallin gjendjen emergjente. Disa vende kanë mbetur pa ndihmë nga autoritetet për shkak të bllokimit të rrugëve.
Fenomeni i motit që ngjason me urganin dhe që nga shkencëtarët ndryshe quhet “cikloni bombë” e goditi pjesën qendrore të SHBA-së javën e kaluar, duke sjellur reshje të borës dhe breshërit. Nga këto reshje janë prekur miliona amerikanë në Iowa, Nebraska, Minnesota, Winscensin dhe Dakotë Jugore.
Përmes një deklarate, guvernatori i Wisconsinit, Tony Evers, ka thënë se temperaturat e ngrohta dhe reshjet e shiut gjatë ditëve të kaluara kanë bërë që shtresat e borës së shtypur dhe akullit të shkrihen dhe të shkaktojnë vërshime dhe rritje të nivelit të ujit në lumenj.
Lumi Misouri e ka arritur nivelin më të lartë të ujit në disa vende, përfshirë Iowan dhe Nebraskan, të cilat janë goditur më së shumti nga vërshimet. Dy burra në Nebraska kanë vdekur dhe dy të tjerë janë zhdukur, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.