Dy të vdekur e një e zhdukur nga vërshimet në Australi

Prishtinë | 11 Jan 2022 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

Dy burra kanë vdekur në rajonin Queensland të Australisë, ndërsa disa komunitete kanë mbetur të izoluara pas reshjeve të dendura të shiut, që shkaktuan vërshime.

Policia tha se trupi i një burri 52-vjeçar u gjet të martën disa orë pasi ishte zhdukur, kur barka e tij ishte përmbytur në ujërat e vërshimeve përderisa po i kërkonte kafshët bashkë me dy familjarë.

Dy familjarët ia dolën që të arrinin në një vend të sigurt, por burri u bë viktima e dytë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e Ciklonit Seth, shkruan Daily Mail, përcjell Gazeta Express.

Trupi i një 22-vjeçari u gjet të shtunën në një vend tjetër, ndërsa policia është e shqetësuar për një vajzë 14-vjeçare, e cila është zhdukur që tri ditë.

Policia, zhytësit dhe vullnetarët, të ndihmuar nga helikopterët, janë duke kërkuar shenja të adoleshentes, por zyrtarja policore, Katarina Carroll, tha se operacioni i kërkimit mund të zvogëlohet.

“Kemi ekspertë që na këshillojnë për këtë, se njerëzit mund të mbijetojnë vetëm disa ditë të caktuara”, tha ajo të martën para gazetarëve.

Të ngjashme