Në 3 ka shkuar numri i personave të vdekur nga Coronavirusi, në Kosovë. Dy prej tyre janë konfirmuar se kanë vdekur mëngjesin e së hënës dhe se të njëjtit kanë pasur edhe sëmundje të tjera, përveç COVID-19.
Viktimat e radhës nga virusi janë një 59-vjeçar nga Prishtina dhe një 70-vjeçare nga Korisha e Prizrenit, raporton KOHA.
Ndërkohë, familjarët e 70-vjeçares, e cila u konstatua se ishte infektuar me koronavirus më 2 prill, kanë thënë se nuk e dinë se si ishte prekur. Tutje, familjarët kanë kërkuar, nga stafi mjekësor që të testohet sërish, pasi dyshojnë se e ndjera nuk ishte e prekur me COVID-19.
Ndërkaq, 59-vjeçari ishte kontrolluar edhe në Qendrën e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, e mu për këtë 13 punëtorët e kësaj qendre nga e diela, janë futur në vetizolim.
Nga këtu, 59-vjeçari ishte dërguar në Klinikën Emergjente më 3 prill, ku kishte qëndruar për 18 orë, derisa pas testimit kishte rezultuar pozitiv dhe menjëherë ishte bartur në Klinikën Infektive.
Sipas drejtorit të Emergjencës, Basri Lenjani, i gjithë stafi mjekësor ishte i pajisur me mjete mbrojtëse dhe se janë ndërmarrë të gjitha veprimet, në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së.
Lenjani shtoi se më herët kishin kërkuar që i gjithë stafi i emergjencës të testohej për të parë nëse dikush mund të jetë prekur me COVID-19, mirëpo një gjë e tillë nuk është mundësuar.
Deri më tash, përpos 3 të vdekurve në Kosovë vlerësohet se janë mbi 140 persona të infektuar me COVID-19.