Rreth 2,3 tonë kanabis u kapën gjatë korrikut nga forcat doganore franceze dhe spanjolle në disa varka të tipit “Zodiac”, që lëvizin me shpejtësi të lartë në Mesdhe, njoftoi sot dogana franceze.
Operacioni “Pascal 2017” mobilizoi nga data 3-17 korrik mjete ajrore, detare dhe tokësore në rrugët detare mes Afrikës së Veriut dhe Evropës, raporton AFP.
Më 7 korrik, pasi avionët francezë dhe spanjollë identifikuan një transport droge në një varkë të shpejtësisë së lartë, roja civile spanjolle kapi 600 kilogramë bimë kanabis.
Më 10 korrik, pas disa orësh kërkime në detin Alboran, forcat franceze dhe spanjolle interceptuan një tjetër varkë të shpejtë, por një pjesë e ngarkesës ishte hedhur në det. Katër anëtarët e ekuipazhit u arrestuan dhe 1,1 tonë kanabis u sekuestrua.
Më 14 korrik, një helikopter francez zbuloi një varke të mbushur me pako me kanabis. Pasi pritën zbarkimin e mallit në një plazh pranë Gjibraltarit, forcat e policisë ndaluan shoferin e kamionit me 600 kilogram bimë kanabis.