Tash kaloi fushata zgjedhore. LVV e uli bishtin e arrogancës, mirëpo në pikëvështrimin tim, opozita, në këtë rast LDK-ja dhe PDK-ja asnjë arsye nuk e kanë me e qitë bishtin në shpinë. Nesër nëse mbahen zgjedhjet e përgjithshme, Albin Kurti ua tharbë huntë krejtve bashkë.
Qe pse mendoj kështu:
Si pike e parë, disa prej nesh, që vullnetarisht dhe ne interes te publikut u rreshtuam kundër arrogancës se pushtetit dhe tiranisë se shumicës, kemi arritur ne mënyrë të suksesshme, pa ndonjë meritë të opozitës, ta ndërtojmë rrëfimin që votuesi në rang të vendit në zgjedhje lokale duhet të votojë për interesin e tij dhe jo sipas bindjeve të Albin Kurtit. Kemi arritur me sukses që gjithë fushatën zgjedhore ta stereotipizojme me karakterin qesharak të Agim Bahtirit dhe Miss Gjyshes së Ferizajt. Kjo ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm.
Mirëpo kjo rregull nuk do të mund te aplikohet edhe për zgjedhjet e përgjithshme, kur ne ring futet Albini. Aty ndryshon dinamika, debati dhe rregullat e lojës.
PDK-ja edhe me tutje nuk ka profil për kryeministër. Ky subjekt politik ka garuar në Prishtine, duke e fshehur kryetarin e partisë dhe duke u imponuar me Uranin si djalë të mirë, si djalë të qytetit dhe si djalë të përgatitur. Mirëpo Memli nuk mundet me u mshefë në zgjedhjet e përgjithshme, sepse atëherë në garë është PDK-ja dhe kryetari i saj, e jo karakteret lokale. Prandaj, unë mendoj që ky subjekt politik, nëse don me qenë në garë në zgjedhjet e përgjithshme, fatin duhet ta kërkojë te Bedri Hamza, Agim Aliu, Uran Ismaili dhe Shaqir Totaj. Preferenca ime shkon për Bedri Hamzën.
Në anën tjetër, LDK-ja është në pozitë pak më të mirë, por jo gjithaq më të mirë. Suksesi i saj më i madh në këto zgjedhje, Prishtinë, mundet me qenë fatkeqësia e saj me e madhe. Përparim Rama, le te flasim hapur, është me shumë i pavarur sesa LDK. Ai mendon që e ka fitu vetë Prishtinën, qe realisht është një gënjeshtër e madhe. Prishtinën ai e ka fitu sepse ka qene në LDK dhe sepse njerëzit deshën me e ndëshku politikisht LVV-në dhe Arben Vitinë. Deri këtu çdo gjë në rregull, por tash e tutje mund të mos jetë në rregull. Përparimi, më shumë sesa për ngritjen dhe fuqizimin e LDK-së, do të angazhohet për pozicionimin e tij politik. Këtë e di, unë besoj edhe Lumiri edhe Përparimi.
Fotoja familjare, pas fitores se zgjedhjeve, e Lumirit dhe Përparimit, me dukej pak a shume sikur fotot e Arben Vitisë me bashkëshorten. Duke dashur t’i shuajë spekulimet veç i forconte ato. Ngjashëm edhe fotoja e Lumirit dhe Përparimit. Humbja e LDK-së në Podujevë, por edhe në Gjilan, ishte mjaft brutale për këtë subjekt.