Një nënë nga Australia është akuzuar për vrasje pasi dy fëmijët e saj të gjinisë femërore u gjetën të vdekur në një veturë të nxehtë.
Vajzat e moshës një dhe dyvjeçare u gjetën pa ndjenja nga policët të shtunën në rajonin Queensland. Nuk dihet për sa kohë kanë qëndruar të mbyllura në veturë vajzat e vogla.
Temperatura në kohën kur vajzat u nxorën nga vetura në Brisbane ishte rreth 31 gradë, ndërsa temperatura në veturë besohet të ketë qenë shumë më e lartë për shkak të motit me diell dhe dritareve të mbyllura.
Ndaj këtij rasti ka reaguar kryetarja e këtij rajoni, Annastacia Palaszczuk, e cila tha se vdekja e fëmijëve është një tragjedi absolute.
“Isha me zemër të thyer pasi e dëgjova lajmin”, tha ajo, duke shtuar se këta fëmijë ishin të njohur për Departamentin e Sigurisë së Fëmijëve.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar vajzat, ato u shpallën të vdekura në vendin e ngjarjes.
Një polic hetues tha se për këtë rast është lajmëruar një dëshmitar, i cili po bashkëpunon me policinë për t’i sqaruar më mirë rrethanat e ngjarjes tragjike, shkruan “BBC”, transmeton gazetaexpress.