Arbërishtja dhe Arvanishtja, dy variante të gjuhës shqipe rrezikojnë të humbasin.
Që prej vitit 1991, një gjuhëtar amerikan ngriti alarmin në konferencën vjetore të gjuhësisë për gjuhët që rrezikojnë të zhduken deri në vitin 2100. Mes tyre janë edhe këto dy derivate të shqipes, të shtrira në territorin e Greqisë dhe të Italisë së jugut.
“Edhe nga Komiteti i Gjuhëtarëve në përgjithësi, u pranua sepse kishte arritur si të thuash një konstatim i tillë. U konfirmua akoma me tepër me të dhënat më vonë dhe siç e konstatoi një gjuhëtar I njohur gjatë kohës që gjuhët po humbim ne po I biem violinës”, u shpreh studiuesi i gjuhës Edmond Cane për Euronews Albania.
Edhe një publikim i Unesco-s, i përditësuar në vitin 2010, e përfshin arvanitëshen dhe arbërishten në grupin e gjuhëve të rrezikuara, ku arvanitshja renditet në cakun e fundit.
“Arvanitshja është në nivelin 5, tepër serioz, arbërishtja është në nivelin 4 nga 6 niveli ku 6 është kur gjuha pothuajse ka vdekur dhe nuk ka më folës”, shtoi Cane.
Carlo Pellicano, është arbëresh i kthyer në Shqipëri. Ai flet pikërisht për humbjen e disa traditave të vjetra dhe sa shumë është tkurrur gjuha e folur arbëreshe.
“Nuk përdoret shumë sepse si gjithë Italia, sidomos ne Italinë e jugut pak nga pak jemi larguar nga bota rurale qe përfshin botën leksikale, sa vjen dhe largohemi nga kjo gjuhë. Sa më shumë largohemi nga territoret ku rrimë aty ku është vatra e kësaj gjuhe, aq më shumë ftohet”, u shpreh Pellicano.